Gjashtë fshatra në zonën e Lekasit, në Korçë, vijojnë të jenë pa energji elektrike për shkak të dëmtimeve të shkaktuara nga era e fortë gjatë 24 orëve të fundit.
Problemet janë konstatuar në linjat e tensionit të ulët, duke ndërprerë furnizimin në Tudas, Lavdar, Bozdovec, Mazrekë, Pula dhe Peshtan. Ndërkohë, në fshatin Lekas energjia është rikthyer gjatë mëngjesit të sotëm, pas ndërprerjes së shkaktuar nga moti.
OSHEE ka dërguar dy grupe punonjësish për të riparuar defektet, por ndërhyrjet po hasin vështirësi për shkak të terrenit të thyer malor dhe kushteve atmosferike.
Pasojat e erës janë ndjerë edhe në Voskopojë dhe fshatrat përreth, ku janë regjistruar ndërprerje të përsëritura të energjisë. Në pjesën tjetër të juglindjes, deri tani nuk raportohen probleme me furnizimin elektrik.













