
Këshilli i Ministrave ka miratuar ndryshime në përbërjen e grupit negociator të Shqipërisë për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, duke rishpërndarë përgjegjësitë mes përfaqësuesve të ministrive dhe drejtuesve të institucioneve të pavarura.
Sipas vendimit zyrtar, ndryshimet kryesore në ekipin negociator përfshijnë:
Politika Rajonale (Kapitulli 22)
Përgjegjësinë si negociator për këtë kapitull e merr zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Oltjon Muzaka, duke zëvendësuar ministrin e Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo.
Ekonomia dhe financat (Kapitujt 1, 4, 6, 9, 16, 17, 29, 32 dhe 33)
Zëvendësministri i Ekonomisë dhe Inovacionit, Enkelejd Musabelliu, merr përgjegjësinë edhe për Kapitullin 6 (E drejta e shoqërive tregtare), krahas Kapitullit 1 dhe rolit si bashkënegociator për Kapitujt 28 dhe 30. Ndërkohë, shfuqizohet nënndarja që ngarkonte ish-zëvendësministren Blerta Rama me përgjegjësinë për Kapitujt 4 dhe 6.
Zëvendësministri i Financave, Andi Memeti, merr gjithashtu rolin e bashkënegociatorit për Kapitullin 4 (Lëvizja e lirë e kapitalit), krahas përgjegjësive për Kapitujt 32 dhe 33. Ndërsa zëvendësministri i Financave, Endrit Yzeiraj, përveç përgjegjësive për kriterin ekonomik dhe Kapitujt 16 e 29, emërohet bashkënegociator edhe për Kapitullin 9 (Shërbimet financiare) dhe Kapitullin 17 (Politika ekonomike dhe monetare).
Zëvendësguvernatorja e dytë e Bankës së Shqipërisë, Natasha Ahmetaj, caktohet bashkënegociatore përgjegjëse për Kapitujt 4 dhe 17. Ndërsa drejtoresha e Përgjithshme Ekzekutive e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF), Adela Xhemali, vijon të jetë bashkënegociatore për Kapitullin 9.
Politika e konkurrencës (Kapitulli 8)
Kryetari i Autoritetit të Konkurrencës, Denar Biba, do të ndajë përgjegjësinë si bashkënegociator për këtë kapitull me zëvendësministrin e Ekonomisë dhe Inovacionit, Mario Keputa.
Bujqësia dhe siguria ushqimore (Kapitulli 12)
Zëvendësministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Tana Kika, i bashkohet zëvendësministrit Arian Jaupllari, duke ndarë me të përgjegjësinë si bashkënegociatore për Kapitullin 12.
Shëndetësia dhe mbrojtja e konsumatorit (Kapitujt 19 dhe 28)
Zëvendësministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Denada Seferi, vijon të jetë bashkënegociatore për Kapitullin 19, ndërsa zëvendësministrja Eugena Tomini i bashkohet ekipit si bashkënegociatore përgjegjëse për Kapitullin 28.
Për zbatimin e këtij vendimi ngarkohen Grupi Negociator i Republikës së Shqipërisë dhe institucionet përkatëse të përfshira në këtë strukturë.
