Vëllai i atletit të famshëm me origjinë shqiptare Pirro Dhima, Odisea Dhima, 58 vjeç, u arrestua mëngjesin e së premtes në Athinë. Sipas burimeve policore, bastisjet u zhvilluan në banesën e tij dhe në qendrën sportive që ai drejtonte, ku u gjetën dhe u sekuestruan sasi lëndësh stimuluese të paligjshme, të destinuara për t’u dhënë sportistëve me qëllim rritjen artificiale të rezultateve.
Autoritetet akuzojnë se Dhima ka kryer këtë aktivitet për më shumë se 14 vjet dhe se kishte dhënë substanca të tilla edhe djalit të tij. Policia raporton se që nga prilli i vitit 2024 ai ka furnizuar dhe i ka dhënë substanca të ndaluara sportistëve. Gjatë hetimeve u zbulua edhe një rast konkret të dhënies së një substance të ndaluar, nga lista e WADA-s, një sportisti të mitur gjatë një gare; për këtë rast trajneri dhe sportisti ishin dënuar më parë me përjashtim nga gara dhe eventet sportive.
Në kontrollet në një banesë dhe në ambientet sportive në Atikë u sekuestruan 871 copë medikamente dhe substanca dopingu të paligjshme — tableta dhe ampula që nuk janë të miratuara nga Organizata Kombëtare e Barnave dhe që konsiderohen të rrezikshme për shëndetin — së bashku me 15.000 euro në cash, 17 kartela sportistësh, shënime me dorë dhe një telefon celular. Telefoni do të verifikohet pasi ekzistojnë dyshime se mund të përmbajë prova shtesë për aktivitetin e dyshuar të 58-vjeçarit.
Arrestimi u krye nga Drejtoria për Luftën kundër Krimit të Organizuar në bashkëpunim me Organizatën Greke Antidoping (EOKAN) dhe Organizatën Kombëtare të Barnave (EOF). I arrestuari u dërgua në prokurori për t’u marrë në pyetje dhe më pas për masë sigurie në gjykatë, e cila pritet të vendosë nëse do të caktojë ose jo mbajtjen e tij.
