Përdorimi i drogave të paligjshme përbën një problem serioz për 79% të qytetarëve në Shqipëri, ndërsa pothuajse dy në tre shqiptarë mendojnë se konsumi i lëndëve narkotike është shtuar ndjeshëm gjatë pesë viteve të fundit, sipas anketës më të fundit të Agjencisë së Bashkimit Europian për Drogat (EUDA).
Të dhënat e publikuara në nëntor 2026 tregojnë se 38% e të pyeturve në vend e konsiderojnë përdorimin e drogave një problem shumë serioz në zonën ku jetojnë dhe 41% si problem serioz, kundrejt vetëm 12% që e shohin si jo shumë serioz dhe 5% që mendojnë se nuk përbën aspak problem.
Për sa i përket dinamikës kohore, 64% e të anketuarve perceptojnë rritje të përdorimit (34% rritje të madhe dhe 30% rritje të lehtë), ndërsa vetëm 7% vlerësojnë se konsumi ka rënë.
Shqipëria renditet ndër vendet me nivelin më të lartë të shqetësimit në Europë si për përdorimin ashtu edhe për trafikimin e drogave (79%), duke tejkaluar ndjeshëm mesataren e Bashkimit Europian që qëndron në rreth 60% për të dyja treguesit.
Në shkallë europiane, ku niveli i shqetësimit luhatet nga 44% në Danimarkë deri në 85% në Maqedoninë e Veriut, pasojat kryesore të lidhura me drogën identifikohen te problemet e shëndetit mendor (39%), rreziku i drogave të reja sintetike (30%), si dhe përfshirja e fëmijëve dhe adoleshentëve në trafikun e narkotikëve (30%).
Anketa e EUDA-s, e zhvilluar gjatë periudhës qershor-korrik 2026 me mbi 95 mijë të intervistuar në 36 vende europiane, evidenton gjithashtu se gati gjysma e qytetarëve europianë (48%) besojnë se mund të sigurojnë kanabis brenda 24 orëve, ndërsa si zgjidhje kryesore kërkohet forcimi i ndërhyrjeve policore (45%) dhe mbështetja për riintegrimin e personave me varësi (43%).









