Fitorja 2-0 ndaj Finlandës ka zgjidhur një pjesë të rëndësishme të llogarive të Shqipërisë në Ligën e Kombeve. Kuqezinjtë kanë siguruar matematikisht përfundimin në dy vendet e para të Grupit 1 dhe, rrjedhimisht, një mundësi për ngjitjen në Ligën B përmes fazës “play-off”. Megjithatë, objektivi i Maran dhe skuadrës kuqezi është edhe më i madh: vendi i parë, i cili mund të sigurohet me një barazim në përballjen vendimtare ndaj Bjellorusisë.
Triumfi në “Air Albania” e ka vendosur Shqipërinë në kuotën e 12 pikëve pas 5 ndeshjeve, me 4 fitore dhe një humbje. Kuqezinjtë kanë shënuar 10 gola dhe kanë pësuar vetëm 3, duke regjistruar një golavarazh pozitiv prej +7. Bjellorusia renditet e dyta me 10 pikë, ndërsa Finlanda mbetet në vendin e tretë me 7 pikë. San Marino, pa asnjë pikë pas 5 takimeve, është e fundit.
Kështu, pavarësisht rezultatit të ndeshjes së fundit, Shqipëria nuk mund të zbresë më poshtë se vendi i dytë. Edhe në skenarin më të pafavorshëm, pra në rast humbjeje ndaj Bjellorusisë, kuqezinjtë do ta mbyllnin grupin në vendin e dytë dhe do të ruanin mundësinë për të synuar Ligën B përmes “play off”-it.
Kombëtarja ka gjithçka në duart e saj për ta mbyllur këtë fazë të Ligës së Kombeve në krye. Në përballjen e së dielës, më 15 nëntor, në orën 18:00, ndaj Bjellorusisë, pa tifozë, në Hungari, Shqipërisë i mjafton edhe një barazim për të ruajtur vendin e parë dhe për të mos u kapërcyer nga rivalët.
Një fitore do të ishte natyrisht përfundimi ideal i këtij rrugëtimi në grup, ndërsa tri pikët do të konfirmonin epërsinë e kuqezinjve. Në të njëjtën orë luhet edhe Finlandë-San Marino, por rezultati i kësaj sfide nuk mund ta ndryshojë më faktin se Shqipëria dhe Bjellorusia janë dy skuadrat që do të përfundojnë në dy vendet e para.
Ndeshjet e fundit – 15 nëntor, ora 18:00:
Bjellorusi-Shqipëri
Finlandë-San Marino

RENDITJA
1. Shqipëria – 5 ndeshje, 4 fitore, 0 barazime, 1 humbje, golavarazh 10:3, 12 pikë.
2. Bjellorusia – 5 ndeshje, 3 fitore, 1 barazim, 1 humbje, golavarazh 7:2, 10 pikë.
3. Finlanda – 5 ndeshje, 2 fitore, 1 barazim, 2 humbje, golavarazh 9:4, 7 pikë.
4. San Marino – 5 ndeshje, 0 fitore, 0 barazime, 5 humbje, golavarazh 1:18, 0 pikë.







