Maran vlerëson paraqitjen e skuadrës, lojën sulmuese dhe afrimitetin me tifozët pas një fitoreje që, sipas tij, dëshmon progresin e bërë nga ndeshja në ndeshje. Trajneri ndalet te zgjedhjet taktike, roli i Laçit, përshtatja e Mitajt dhe ekuilibri që kërkon të vendosë në lojën e ekipit, pa fshehur edhe momentet që e kanë lënë të pakënaqur:
“Jam i lumtur për lojtarët. Ndonëse ishte një ndeshje që dukej sikur ata duhej ta fitonin me çdo kusht, përkundrazi, ishim ne që dolëm në fushë për të bërë lojën, duke shënuar edhe gola shumë të bukur. Kjo është padyshim një shenjë rritjeje, edhe në krahasim me ndeshjet e tjera.
Përtej rezultatit, kjo është ndeshja më e rëndësishme, sepse arritëm të ishim kaq të kompletuar edhe në raportin me tifozët. Të shohësh popullin dhe tifozët tanë të gëzojnë është për mua një motiv kënaqësie që shkon përtej rezultatit, sepse kur ndodh kështu, shumë shpesh arrihen edhe rezultate të papritura.
Zgjedhja e Laçit erdhi për shkak të karakteristikave të tij të ndryshme. Sipas meje, ishte e vlefshme të kishim një lojtar më shumë mes linjave sesa në krah. Duke e vendosur Manajn më të avancuar, e dinim se ndoshta mund të krijonim hapësira për Muçin dhe Laçin. Prandaj preferova Laçin, sepse mund të bëjë diferencën. Për mua, gjëja më e rëndësishme ishte dëshira për ta zhvilluar ndeshjen në këtë mënyrë.
Në një moment ata na vunë pak në vështirësi dhe u desh të ndryshonim diçka në aspektin mbrojtës, për t’ua bërë aksionet më të vështira. Mendoj se është diçka e bukur fakti që, sapo shfaqet nevoja për të ndryshuar diçka, lojtarët janë menjëherë të gatshëm. Kjo është shenjë e një ekipi që është i përfshirë dhe ka dëshirën për ta bërë lojën. Sipas meje, ky është aspekti që po vjen gjithnjë e më shumë në rritje.
Të jem i sinqertë, ajo që kërkoja në ndeshjet e para ishte të gjeja ekuilibrin e duhur. Sipas meje, me lojtarët që janë në formë më të mirë, ky sistem loje më jep më shumë garanci. Mitaj është një lojtar që nuk e ka luajtur më parë një rol të tillë, por përshtatet mirë dhe ka kapacitetin për të dalë nga presioni i kundërshtarit. Këtu nisin aksionet tona, me Gjimshitin që organizon daljen e topit dhe lojtarët e tjerë që qëndrojnë pranë. Kjo është ajo që po na shpërblen për punën e bërë me ta.
Padyshim që kemi krijuar shumë raste, por kemi lejuar edhe kundërshtarin të krijojë më shumë mundësi. Kishte momente kur ata treguan aftësi dhe ne u tërhoqëm shumë. Sidomos në 15 minutat e fundit të pjesës së parë u bëmë pasivë. Gjatë pushimit u thashë lojtarëve se nuk isha i kënaqur me atë periudhë të lojës, pasi nuk mjaftonte thjesht të tërhiqeshim prapa. Nuk duhej të ishim pasivë, sepse kështu u jepnim mundësinë finlandezëve të gjenin zgjidhje.
Në pjesën e dytë hymë më agresivë, ushtruam më shumë presion dhe rastet që krijuam ishin të ndryshme nga ato të pjesës së parë. Nëse nuk jemi të fortë në presion, bëhemi vulnerabël dhe kjo nuk duhet të ndodhë”.







