Me supergolin e Ernest Muçit në pjesën e parë dhe me golin e Rey Manajt në pjesën e dytë, në ndeshjen jubilare, Shqipëria ka marrë pikët e plota përballë Finlandës.
Të enjten mbrëma në “Air Albania” të Tiranës, Shqipëria fitoi 2:0 në ndeshjen e parafundit të Grupit C1 dhe e ka mbajtur vendin e parë.
Për Shqipërinë është fitore me vlerë të trefishtë.
Vendi i parë në grup siguron avancimin në Ligën B të Ligës së Kombeve, që është niveli i dytë.
Vendi i dytë siguron vazo më të favorshme në shortin për Evropianin 2028, por edhe plejofin për avancim në ngjarjen kontinentale pas dy vjetësh.
“Ishte shumë e rëndësishme fitorja ndaj Finlandës. Unë dua ta ndihmoj ekipin, të fitojmë sa më shumë ndeshje. Kishim katër mesfushorë në fushë dhe unë doja ta marr topin në zona të rrezikshme. Sot ka qenë ndeshje fantastike, duhet të vazhdojmë kështu. Për mua është moment shumë i mirë, kam kaluar shumë gjëra për të ardhur në këtë ditë dhe patjetër që jam shumë i lumtur”, ka thënë pas ndeshjes për fitoren e arritur mesfushori i Trabzonsporit, Ernest Muçi. Muçi është duke shkëlqyer edhe me skuadrën e tij në Turqi. Në 14 ndeshjet e para të këtij sezoni në të gjitha garat, i ka tri gola të realizuar e shtatë asistime.
Edhe
Synimi i Shqipërisë - fitore pa gol të pësuar
Shqipëria kishte shumë raste për gol. Por, për 1:0 realizoi në minutën e 35-të. Muçi realizoi me gjuajtje mjeshtërore në portën e portierit Lukash Hradecky të Monacos, i cili u shqua me disa pritje në pjesën e parë.
Rezultatin përfundimtar të ndeshjes e vendosi Manaj me golin e minutës së 50-të, në paraqitjen jubilare të tij me “kuqezinjtë”, të 50-tën.
Te Shqipëria të lumtur janë që nuk kanë pësuar gol ndaj Finlandës. Merita për këtë ka edhe portieri Etrit Berisha. Berisha 37-vjeçar, që tani bën karrierë te Hackeni në Suedi, tha se Shqipëria pati paraqitje të mirë edhe në ndeshjen e parë, por ndikoi kartoni i kuq i tij.
“Edhe në ndeshjen e kaluar ndaj Finlandës e nisëm ndeshjen mirë. Kartoni i kuq i ndryshoi gjërat. Ne e dimë që kemi një ekip shumë të mirë. Punojmë së bashku për të arritur diçka të rëndësishme, për të bërë ndeshje të bukur si kjo e sotmja. Rëndësi tani ka që nuk pësuam gol. Shpresoj të vazhdojmë kështu edhe në ndeshjen tjetër. Jemi ekip që duam të rritemi. Në këto ndeshje nuk janë gjithmonë ndërhyrjet vendimtare ato që shpëtojnë ekipin, por ka rëndësi që ta mbajmë ekipin të fokusuar. Ne e dimë që jemi ekip solid. Është e vështirë që ekipet tjera të na shënojnë. Ndoshta në dhjetë minutat e fundit mund të bënim më mirë, por ishim me një lojtar më shumë dhe e kishim rezultatin në favor”, është shprehur portieri prishtinas.
Karton të kuq pati edhe në ndeshjen e së enjtes mbrëma në Tiranë. Por ishte për Finlandën. Finlanda mbeti me një futbollist më pak në fushë nga minuta e 67-të, kur pas një ndërhyrjeje shumë të ashpër në Muçin, Miro Tenho u përjashtua direkt me të kuq.
Para këtij ballafaqimi zyrtarisht nga Shqipëria është pensionuar Armando Sadiku. Ai mori duartrokitjet e fundit si futbollist i “kuqezinjve”. Federata Shqiptare e Futbollit i organizoi ceremoni speciale që ka dhënë kontribut të madh për Shqipërinë.
Sadiku pensionohet nga Shqipëria pas 39 ndeshjeve të luajtura, ku i shënoi 12 gola.
Prej golave më të rëndësishëm është ai në “Euro 2016”, në fitoren ndaj Rumanisë.
Shqipëria i prin grupit me 12 pikë, dy më shumë se Bjellorusia që fitoi në udhëtim te San Marino 2:0. Finlanda mbetet e treta me shtatë pikë.
Shqipëria ndeshjen e radhës e ka më 15 nëntor në Budapest të Hungarisë.
Finlanda e pret San Marinon.
78’ - Rast i artë për Finlandën, nuk shënon nga afërsia zëvendësuesi Anssi Suhonen.
67- Finlanda ka mbetur me një futbollist më pak në fushë. Në minutën e 67-të, pas një ndërhyrjeje shumë të ashpër në Ernest Muçin, Miro Tenho u përjashtua direkt me të kuq.

50’ – Shqipëria ka dyfishuar epërsinë. Rey Manaj realizoi pas asistimit nga Elseid Hysaj. Shqipëria është në avantazh 2:0 ndaj Finlandës. Për Manajn është ndeshja e 50-të me fanellën e Shqipërisë.
Mbyllet pjesa e parë - Shqipëria ka pasur iniciativë të madhe ndaj Finlandës dhe shumë raste për shënim, por e realizoi vetëm një gol.
Qazim Laçi, Kristjan Asllani e Ernest Muçi ishin prej lojtarëve më aktivë te “kuqezinjtë”.
Edhe
Te Shqipëria besojnë se do të kthehen në Ligën B
Dhe ishte pikërisht Muçi që shënoi supergol. Muçi realizoi në minutën e 35-të për 1:0. Me këtë rezultat edhe u mbyll pjesa e parë.
Pas epërsisë prej një goli, Shqipërinë e shpëtoi portieri Etrit Berisha që bëri pritje të jashtëzakonshme ndaj Miro Tenhos.
42’ - Rasti i parë i rrezikshëm për Finlandën. Ndërhyrje shumë të mirë ka bërë portieri Etrit Berisha që e priti tentimin e Miro Tenhos.
35' - Shqipëria është duke fituar 1:0 ndaj Finlandës. Pas shumë pritjeve, portieri Hradecky nuk pati gjasa në minutën e 35-të. Goli i Muçit ishte i jashtëzakonshëm.
33’ - Hradecky në formë. Portieri i Finlandës vazhdon të bëj pritje shumë të mira. Kristjan Asllani provoi bukur, por nuk ia doli.
30’ - Muçi provon edhe një herë tjetër me gjuajtje të fuqishme nga distanca. Kësaj radhe me të djathtën. Por, portieri Hradecky nuk u mposht.
22’ - Shqipëria e vazhdon momentin e mirë. Menjëherë pas rastit të Muçit rrezikoi edhe Kristjan Asllani. Mesfushori gjuajti fuqishëm, por ishte portieri Lukash Hradecky që bëri ndërhyrje shumë të mirë.
22’ - Pasi u fitua një top në mesin e fushës, Shqipëria rrezikoi sërish. Ernest Muçi tentoi me të majtën nga distanca. Gjuajtja nuk ishte shumë e fuqishme për ta mposhtur portierin e Finlandës.
2’ - Qazim Laçi e pati mundësinë e parë për të realizuar gol për Shqipërinë. Pas një aksioni nga krahu i majtë, Stavro Pilo pasoi për Laçin në zonë i cili me të majtën gjuajti jashtë kornizës së portës.
Përzgjedhësi Rolando Maran do të sulmojë me Rey Manajn në qendër të sulmit, në ndeshjen shumë të rëndësishme të Grupit C1 të Ligës së Kombeve ndaj Finlandës.
Ky ballafaqim që luhet nga ora 20:45 në “Air Albania” të Tiranës i takon xhiros së parafundit të edicionit të pestë të Ligës së Kombeve.
Shqipëria është e para me nëntë pikë, dy më shumë se Bjellorusia dhe Finlanda.
San Marino është në vendin e fundit, pa pikë.
Formacioni i Shqipërisë:
Berisha, Hysaj, Gjimshiti, Ismajli, Mitaj, Pilo, Asllani, Ramadani, Laçi, Muçi, Manaj
Edhe
Eksperti finlandez: Ishte penallti për Shqipërinë
Formacioni i Finlandës:
Hradecky, Stahl, Koski, Tenho, Jensen, Walta, Marhiev, Mahuta, Keskinen, Kallman, Antman

