Ish-prokurori Eugen Beci, i ftuar në emisionin “Çim Peka Live” në SYRI TV, ka komentuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për hartimin e një rregulloreje lidhur me procesin e Vetingut dhe rolin e ONM-së.
Beci e ka cilësuar këtë proces si të mbyllur, ndërsa ka ngritur pikëpyetje mbi kompetencat e Gjykatës Kushtetuese dhe ligjshmërinë e rregullores, duke argumentuar se Gjykata interpreton dhe kontrollon normat, por nuk mund të krijojë norma të reja.
Gjatë diskutimit me gazetarin Çim Peka, Beci ka hedhur akuza për interesa financiare që, sipas tij, lidhen me mbajtjen gjallë të procesit dhe rikthimin e ONM-së.
Ai ka paralajmëruar se rregullorja mund të kundërshtohet në Strasburg, duke e cilësuar atë si një akt skandaloz dhe në kundërshtim me parimet e sigurisë juridike.
Diskutimi në studio:
Beci: ...quhet një shoqatë që punonte me Ministrinë e Drejtësisë për të bërë konsultime të ndryshme, po diçka... Dhe do kthehet, tashi do bëjë OMN-ja për të marrë disa miliona euro. Pyetja që lind është jo nga magjistratët, por nga çdo qytetar shqiptar: a mund t'i kërkohet Komisionit të Bashkimit Evropian dhe t'i thuhet, 'Na e ndani, ka mbaruar procesi i Vetingut në Shqipëri apo jo?' Se ju bëtë një festë, bëtë një ceremoni, procesi i rivlerësimit përfundoi. Përse Gjykata Kushtetuese për 10 apo 15 vendime që Strasburgu mund t'i kthejë në favor të magjistratëve të shkarkuar, kërkon të hartojë një rregullore? Dhe mbi të gjitha, duhet të kuptojmë: në Republikën e Shqipërisë, vendimet, normat, ligjet i miraton Kuvendi i Republikës. Gjykata Kushtetuese i kontrollon, nuk i krijon. Nuk mund të krijojë Gjykata Kushtetuese normë. Ky është thelbi i tërë situatës. Për të vajtur pastaj te OMN-ja, e cila, unë e them bindshëm, që është vetëm çështje fondesh. Një pale, baballarëve të reformës, ju pëlqen sepse nga këta 15 anëtarë ndonjëri mund t'i kalojë nga dera pa dashje, kurse palës tjetër, që është BE-ja, i intereson që të punësojë disa burokratë, të cilët do marrin lekë. Dhe mbi të gjitha, mua më habiti reagimi i çuditshëm i shoqatës së magjistratëve, si prokurorë dhe gjyqtarë. Ata reaguan, BE-ja, raporti i BE-së, presionet që na bën politika... Po mirë, ti si magjistrat i Republikës së Shqipërisë, që je formuar me ligjin, a nuk e kupton që pasiguria juridike, shkelja e Kushtetutës me të dyja këmbët, pavarësisht se janë anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, ti duhet të të vërë një alarm? Dhe ti si shoqatë magjistratësh duhet të reagoje, duhet të thuash, të paktën me një gjuhë diplomatike: 'Ore shikoni se s'keni në terezi këtë punë'. Askush nuk reagoi. Ky është presioni i vërtetë, nuk është presioni i politikës. Presioni i vërtetë është kjo mënyrë për të mbajtur gjallë një proces të vdekur, që është procesi i Vetingut që u mbyll.
Peka: Teknikisht ky vendim mund të apelohet në Strasburg? Ky vendim i Gjykatës Kushtetuese?
Beci: Kjo është te puna e budallallëkut pastaj, që hedh një gur në lumë dhe hajde të mblidhemi. Kemi kaq ditë që diskutojmë që kur doli ky vendimi numër 13, dhe nuk ka një rrugë ligjore se si të godasësh rregulloren. Po, ka vetëm një rrugë në një shtet të përgjegjshëm: mblidhet Parlamenti i Republikës së Shqipërisë, voton heqjen, shfuqizimin e anekseve të Kushtetutës, dhe Gjykatës Kushtetuese i ngelet gishti në gojë, se nuk ka më ligj. Në rast se ndodh... në rast se nuk ndodh, në rast se ndodh procesi që unë shkoj në Gjykatë Kushtetuese, ose çdo magjistrat shkon në Gjykatë Kushtetuese, dhe Gjykata Kushtetuese jep një vendim që nuk pëlqen dhe nuk përshtatet, mund të ankimohet në Strasburg së bashku me këtë rregullore. Të jesh i bindur, jo Strasburgu, po kushdo të jetë, patjetër që do e rrëzojë, do e bëjë leckë këtë rregullore të Gjykatës Kushtetuese, se është rregullore me plot gojën skandaloze. Është vendim që ka miratuar një rregullore.
Peka: E qartë, e qartë, kjo rregullore sipas jush, ose ky vendim që ka miratuar një rregullore. Është për t'ju dhënë sërish disa miliona euro, disa plehrave ndërkombëtare që kanë ardhur e kanë bërë këtu çfarë ka dashur Rama, apo është një vendim i detyruar për të ruajtur fytyrën e reformës në drejtësi, sepse këta e kanë bërë de fakto masakrën e Vetingut?
Beci: Janë të dyja. Madje tre, jo dy. E para e punës, këta baballarët që mund të kenë futur incognito këtë rregulloren dhe e kanë firmosur gjyqtarët, duan që të ruajnë fytyrën. Por ka një logjikë në drejtësi: në rast se në 400 të shkarkuar, 20 apo 30, po themi apo 15 apo 20, t'i kthen Strasburgu, prapë e ke sukses atë. Ti e ke realizuar suksesin dhe qëllimin tënd. Për sa i përket parave, patjetër që do shpërblesh dhe pjesëtarë të OMN-së, sepse ka pjesëtarë të OMN-së që në kohë protestash janë parë, kanë bërë statuse kundër protestuesve, pavarësisht se ç'përfaqësojnë ata.
© SYRI.net
Vata kërkon hetim nga SPAK për Bashkinë Mat: 6.1 mln lekë dëm ekonomik dhe mijëra prona të paregjistruara
VIDEO/ Artan Hoxha ngre pikëpyetje për dosjen e SPAK: Kush organizoi dhe ekzekutoi vrasjet e Vajdin Lamës dhe Artan Arsit?
VIDEO/ Elton Qyno për dosjes së bandave të Durrësit dhe Tiranës: Si u lidhën vrasjet e Klodian Saliut dhe Vajdin Lamajt