Kreu i Autoritetit të Konkurrencës, Denar Biba, ka kërkuar zgjerimin e kompetencave hetimore të institucionit që ai drejton, duke i dhënë këtij institucioni të drejtën të marrë dhe të analizojë telefonat celularë të drejtuesve të kompanive nën hetim.

Në një reagim publik, ai rikthen në vëmendje kërkesën që kishte bërë tre vite më parë përpara deputetëve të Kuvendit, e cila në atë kohë ishte pritur me habi dhe ishte shoqëruar edhe me komente ironike.

Biba i referohet Raportit të Progresit 2026 të Komisionit Evropian për Shqipërinë, ku theksohet nevoja për investime në mjetet digjitale dhe të zbulimit, në mënyrë që Autoriteti i Konkurrencës të përballojë hetimet komplekse.

Sipas tij, këto mjete mundësojnë sigurimin dhe analizimin e provave që gjenden në telefona dhe kompjutera, si komunikimet elektronike, mesazhet dhe dokumentet, të cilat mund të zbulojnë marrëveshje të fshehta për fiksimin e çmimeve, ndarjen e tregjeve apo koordinimin e ofertave.

Ai kërkon që institucionet shqiptare të pajisin Autoritetin me kompetencat ligjore dhe mjetet teknike përkatëse.

Reagimi i Denar Bibës:

DORËZONI TELEFONAT!

Këtu e 3 vjet më parë, kur në kuadër të forcimit të Autoritetit të Konkurrencës nisa të kërkoja shtim të stafit dhe ambiente më të përshtatshme pune, për herë të parë artikulova përpara deputetëve të Kuvendit edhe nevojën që, në kuadër të hetimeve, për të mundësuar përfundime të suksesshme, në kërkim të provave të shkeljes së ligjit të konkurrencës, të na njihej e drejta të merrnim edhe telefonat celularë të drejtuesve të bizneseve nën hetim.

Atëherë deputetët buzëqeshën me habi, ndërsa ndonjë portal shkoi edhe më tej, duke ngritur paralele ironike me SPAK-un.

E prisja njëfarë reagimi atëherë, sikundër e pres edhe pas këtij postimi, pavarësisht se sot mjafton të pyesësh ChatGPT dhe të sqarohet se unë kisha dhe kam të drejtë.

Nejse, progresi kërkon kohën e vet, madje ka edhe koston e vet.

Tre vjet më pas!

Raporti i Progresit të Shqipërisë 2026 i Komisionit Evropian, në pjesën ku vlerëson situatën në lidhje me “Politikat e Konkurrencës” (Kapitulli, ndër të tjera vëren se:

“There is a need to invest in digital forensic and detection tools for the ACA to handle complex investigations.”

Qartësisht, Komisioni vëren se duhen mjete më të mira për të gjetur dhe analizuar PROVAT DIGJITALE në hetime të ndërlikuara.

Çfarë nënkuptohet me “digital forensic and detection tools”?

Në hetimet e konkurrencës, provat e rëndësishme mund të jenë në pajisje dhe sisteme digjitale, SI CELULARË DHE KOMPJUTERA: email-e, SMS, biseda, dokumente të fshira, skedarë, të dhëna për kohën dhe autorin e ndryshimeve, ose komunikime mes kompanive. Mjetet e forensikës digjitale ndihmojnë në gjetjen, kopjimin dhe analizimin e këtyre të dhënave në mënyrë të kontrolluar, duke ruajtur origjinalin dhe gjurmën se si është trajtuar prova. Mjetet e zbulimit ndihmojnë që inspektorët tanë të identifikojnë dokumentet dhe komunikimet që mund të kenë rëndësi mes sasive të mëdha të informacionit.

Kjo mund të jetë veçanërisht e dobishme në rastet e marrëveshjeve të fshehta mes konkurrentëve (si p.sh., nëse kompanitë kanë koordinuar ofertat, fiksuar çmimet ose ndarjen e klientëve) dhe në hetimet për abuzim me pozitën dominuese.

Pa mjete dhe ekspertizë të përshtatshme, mund të jetë më e vështirë të gjenden komunikime ose dokumente të rëndësishme; të analizohen vëllime të mëdha të të dhënave nga disa persona apo pajisje; të identifikohet dhe rindërtohet se kush ka komunikuar me kë dhe kur; të ruhen provat në mënyrë të besueshme, etj.

Kjo kërkesë e BE-së do të vazhdojë Raport pas Raporti, derisa ligjvënësi dhe qeveria shqiptare ta pajisin Autoritetin e Konkurrencës me këto kompetenca ligjore e pajisje teknike që i ka çdo AK në vendet e përparuara të botës.

Me gjasë, do të duhet të kalojnë edhe disa vite të tjera që kjo të ndodhë dhe unë edhe mund të mos jem më në Autoritetin e Konkurrencës. Por nuk ka asnjë dyshim se, herët a vonë, drejtuesit e kompanive nën hetim për shkelje të konkurrencës do të duhet të dorëzojnë celularët.

Sa më shpejt, aq më mirë për konsumatorin!