Gazetari Elton Qyno, i ftuar në emisionin ‘Çim Peka LIVE’ në SYRI TV, ka folur për hetimet e SPAK-ut ndaj dy grupeve kriminale që vepronin në Durrës dhe Tiranë, duke zbardhur detaje nga dëshmitë e bashkëpunëtorit të drejtësisë Luftar Reçi dhe mënyrën se si u lidhën disa prej ngjarjeve të rënda kriminale.
Qyno u ndal te vrasja e Klodian Saliut, të cilën e cilësoi si pikënisjen e përçarjes së bandës së Durrësit. Ai kujtoi se kjo ngjarje ishte rrëfyer edhe më herët nga Adriatik Coli, në vitet 2005-2006, por dëshmia e tij nuk ishte marrë në konsideratë, pasi informacionet i kishte marrë nga persona të tretë.
Më vonë, Luftar Reçi doli si bashkëpunëtor i drejtësisë dhe deklaroi se kishte marrë pjesë vetë në ngjarje, duke dhënë detaje për rolet e personave të përfshirë.
Qyno theksoi se Luftar Reçi ishte marrë në pyetje edhe më parë nga strukturat e krimeve të rënda, nga prokurorë dhe oficerë të njohur të policisë shqiptare, por në atë kohë dëshmitë e tij nuk ishin vlerësuar si të mjaftueshme për të nisur çështje penale për ngjarjet që ai tregonte.
Gazetari u ndal edhe te hetimet për vrasjen e biznesmenit Vajdin Lamaj dhe te dëshmia e Reçit për përfshirjen e personave të tjerë, mes tyre Josko Cervekoski, të cilin e identifikoi si inxhinier elektronik nga Maqedonia e Veriut.
Sipas dëshmisë së Reçit, Cervekoski kishte përgatitur mjetin shpërthyes në zonën e Shkëmbit të Kavajës, në prani të Plarent Dervishit, Lulzim Berishës dhe vetë Reçit. Më pas, sipas këtij rrëfimi, mjeti shpërthyes ishte dërguar në Tiranë dhe i ishte dorëzuar Emiljano Shullazit pranë stacionit të trenit.
‘Në fazën e dytë fillojnë një operacion tjetër dhe, kur kemi shkuar pastaj në redaksi, shikojmë që erdhi njoftimi i SPAK-ut për një nga goditjet më të mëdha në histori, siç ishte goditja e dy grupeve kriminale që vepronin në qytetin e Durrësit dhe të Tiranës dhe që, siç e tha dhe Tani, kanë qenë grupe tradicionale dhe historike të krimit të organizuar në këto dy qytete.
Sigurisht që i gjithë kalvari hetimor apo edhe gjyqësor pati uljet-ngritjet e veta, sepse gjatë fazës së hetimit, dy nga personat kryesorë të bandës së Durrësit, siç ishin Plarent Dervishi, por edhe Lulzim Berisha, në fazën e hetimit, edhe pse u mbajtën katër vite me masën e arrestit me burg, sërish kjo fazë hetimi nuk konstatoi prova konkrete për pjesëmarrjen e tyre në vrasjen e Artan Arsit, por edhe të Vajdin Lamajt. Hetimi pastaj u pushua nga prokurori Altin Dumani, ndërkohë që çështja vijoi me pjesën e personave të tjerë.
I gjithë thelbi është që zanafilla filloi me vrasjen e Klodian Saliut, atje ku ishte pikënisja e çarjes së bandës së Durrësit. Kjo ngjarje ishte rrëfyer një herë në vitin 2005-2006 nga Adriatik Coli, i cili kishte treguar detaje konkrete, thuajse të njëjta si në rastin e Luftar Reçit. Por Adriatik Coli ishte një rrëfyes që e kishte dëgjuar nga palë të treta dhe nuk ishte marrë në konsideratë në atë kohë, ndërkohë që del një dëshmitar tjetër, Luftar Reçi, edhe pse ishte në burg, dhe thotë që në këtë ngjarje kam marrë pjesë unë.
Pra, unë kam qenë shofer, Plarenti ka qenë qitës, Indrit Taullau ka qenë qitës. Dhe që këtu SPAK-u, Altin Dumani, e ka përpunuar këtë çështje, e mori të mirëqenë këtë gjë dhe filloi të punojë me këtë bashkëpunëtor drejtësie.
Të mos harrojmë që ky bashkëpunëtor drejtësie ishte pyetur edhe më përpara nga strukturat e krimeve të rënda në atë kohë, nga prokurorë si Eugen Beci, Anton Martini, apo oficerë si Tonin Vocaj, Agron Kuliçi, që kanë qenë oficerë të dalluar dhe të njohur të policisë shqiptare, të cilët e kanë marrë në pyetje dhe nuk e kanë vlerësuar këtë dëshmitar si të mirëqenë për të nisur një çështje penale në drejtim të disa ngjarjeve kriminale që ai tregonte.
Dhe vijmë më vonë, pastaj, kur krijohet kjo besueshmëri tek ky dëshmitar dhe futet si personi kryesor që tregon të dyja ngjarjet.
Por ta marrësh të mirëqenë që, në rastin konkret, tek rasti i Klodian Saliut, Luftar Reçi implikon në mënyrë të drejtpërdrejtë veten, kur thotë që unë kam qenë shofer dhe jep detaje që Luli ka qenë në Turqi, Çeçi, Rusi ka qenë vrojtuesi ynë dhe ne kemi gjuajtur... Plarenti apo Indrit Taullau ka qenë me automatik Skorpions, e kemi ruajtur në zonën e Shkëmbit të Kavajës.
Ndërkohë që, te rasti tjetër, te rasti i biznesmenit Vajdin Lamaj, jepen detaje të tjera për persona të tjerë, të cilët çuditërisht nuk arrestohen. Siç është Josko Cervekoski.
Josko Cervekoski ishte një inxhinier elektronik nga Maqedonia e Veriut, të cilin ai e përmend si personin që kishte përgatitur bombën apo atë minën me sahat në zonën e Shkëmbit të Kavajës në Durrës, në sy të Plarentit, në sy të Lulzim Berishës dhe në prani të Luftar Reçit. Së bashku kishin ardhur në Tiranë dhe më pas këtë mjet shpërthyes ia kishin dhënë Emiljano Shullazit në zonën e stacionit të trenit.
Pra, e gjitha kjo, dhe më pas futet edhe Viktor Ymeri, të cilin ai e ka pasur në dhomë, ku i tregon se ky Viktor Ymeri ka shfaqur një entuziazëm dhe një gëzim shumë të madh kur janë vrarë Artan Arsi dhe Vajdin Lamaj, për arsyen se u gëzua dhe u mburr që këtë ngjarje e kemi bërë ne.
Pra, edhe pse këta kanë qenë në burg, zanafilla dhe gjithë rrjedha logjike, por edhe juridike e SPAK-ut, është që vrasja e Vajdin Lamajt është urdhëruar nga brenda burgut. Dhe këtë vrasje e ka urdhëruar pikërisht Viktor Ymeri, sepse këtë gjë ia ka shfaqur pikërisht të nesërmen e ngjarjes bashkëpunëtorit të drejtësisë, me të cilin ndante qelinë, Luftar Reçit.
Nga ana tjetër, edhe pse Luftar Reçi në atë kohë, pas ngjarjes, ka qenë në liri, përmend Indrit Taullain. Kur kam shkuar të nesërmen, më datë 26 apo 27 shkurt, në Durrës, thotë se kam takuar Indrit Taullain dhe ai më ka thënë: ‘E pe çfarë u bëmë atyre në Tiranë? Ne i kemi pjekur ata’.
Dhe ai ka kuptuar që në këtë ngjarje të rëndë me tritolin e Emiljano Shullazit ka marrë pjesë edhe Indrit Taullau.
Pra, kjo është bërë lidhja dhe, nga ana tjetër, tregon që rrjedha juridike e SPAK-ut thotë se urdhri është dhënë nga brenda burgut.’, u shpreh gazetari Elton Qyno në SYRI TV.
© SYRI.net