Pedagogu Evarist Beqiri, i ftuar në emisionin “Prime News24” në News24, ka komentuar zhvillimet e fundit politike, duke u ndalur te qeverisja e kryeministrit Edi Rama dhe goditjet që, sipas tij, ka marrë kreu i qeverisë në disa fronte.
Beqiri u shpreh se Rama ka pësuar goditje të njëpasnjëshme në ekonomi, siguri dhe diplomaci, ndërsa deklaroi se edhe pretendimi i tij për organizimin e Samitit të NATO-s në Shqipëri në vitin 2027 nuk është konfirmuar.
Pedagogu komentoi edhe mesazhet e ambasadorit amerikan, Eric Wendt, gjatë takimit me të rinjtë, duke vlerësuar rëndësinë e komunikimit me brezin e ri.
“Më shumë se nga të vetët, Rama ka marrë goditje të njëpasnjëshme. Qoftë në fushën e ekonomisë, sigurisë apo diplomacisë. Sot e konfirmoi edhe vetë që nuk ka Samit të NATO-s në 2027 në Shqipëri sepse nuk ka ndërmend njeri t’i japë oksigjen Ramës në këtë moment. I është çjerrë maska si lideri rajonal apo global siç shitet. Nuk do të lija pa përmendur edhe reagimin e ambasadorit amerikan. Fakti që ai thotë se rinia është e ardhmja dhe tregon shembull se si duhet komunikuar me rininë. Ai ka hedhur edhe një tezë që thotë janë duart e pista të Iranit…Ky na thotë që iranianët po realizokan këtë goditjen e madhe, por a keni dëgjuar aleatët të flasin për këtë pjesë, se unë nuk ka dëgjuar. Fundi politik i Ramës dihet tanimë”, tha ai.
