Vendosni fjalën kyçe....

Figurinat prej argjile 15 mijëvjeçare mund të jenë krijuar nga fëmijët


Gjurmët e gishtërinjve të zbuluara në më shumë se 150 objekte prej argjile në tri vendbanime parahistorike në Lindjen e Mesme sugjerojnë se fëmijët mund të kenë modeluar argjilën për të krijuar figura kafshësh mijëra vjet përpara shpikjes së bujqësisë.

Përveçse e shtyjnë disa mijëvjeçarë më herët zanafillën e shprehjes artistike në Levant, rajoni që përfshin sot Izraelin, Palestinën, Jordaninë dhe Sirinë, këto zbulime mund të ndihmojnë gjithashtu në zbulimin e mënyrës se si traditat kulturore dhe njohuritë ekologjike përcilleshin nga një brez te tjetri gjatë Paleolitit të Sipërm.

Në total, studiuesit zbuluan 15 figurina të dallueshme dhe 139 fragmente të tjera, të cilat me gjasë dikur kanë qenë pjesë e statuetave të tjera. Nga figurat që mund të identifikoheshin, 11 paraqisnin zogj dhe dy njerëz, ndërsa koleksionin e plotësonin një gazelë dhe një gjitar tjetër i paidentifikuar, shkruan IFL.

Reliket u zbuluan në vendbanimet Eynan-Mallaha në Jordani, Hayonim Terrace në Galile dhe el-Wad Terrace në malin Karmel. Ato u krijuan nga pjesëtarë të kulturës natufiane, e cila formoi fshatrat e para sedentare në botë rreth 15 mijë vjet më parë.

Në Evropë, figurinat më të hershme të njohura i atribuohen kompleksit teknologjik aurignacian, i cili nisi pak më shumë se 40 mijë vjet më parë. Megjithatë, mendohej se qeramika dhe shprehja artistike e sofistikuar nuk kishin mbërritur në Lindjen e Mesme deri në zhvillimin e bujqësisë, rreth 11 mijë vjet më parë.

“Sa i përket shprehjes simbolike, Azia Jugperëndimore është shumë e ndryshme nga Evropa gjatë Paleolitit të Sipërm”, shpjegoi në një email për IFLScience autori i studimit, Dr. Laurent Davin. “Këtu nuk ka art në shpella, repertori i stolive personale është i kufizuar dhe nuk ka figurina.”

Në këtë rajon, e ashtuquajtura “revolucion i simboleve” i është atribuar kulturës kiamiane të Neolitit të Hershëm, e cila nisi rreth 11 500 vjet më parë.

“Rezultatet tona bien ndesh me këtë paradigmë të konsoliduar prej kohësh dhe, përkundrazi, dëshmojnë se në këtë rajon ndryshimi në shprehjen simbolike ishte i shpejtë, i shkëputur nga zhvillimi i bujqësisë dhe ndodhi papritur 15 mijë vjet më parë, në komunitetet e para fshatare”, thotë Davin.

“Ne dëshmojmë se kalimi drejt një mënyre jetese sedentare pati një ndikim shumë më të madh nga sa mendonim më parë dhe se ky ndryshim i shpejtë në shprehjen simbolike ndikoi në të gjithë rajonin për mijëvjeçarë me radhë.”

Përcjellja e njohurive nga një brez te tjetri

Megjithatë, figurinat e zbuluara së fundmi nuk e shtyjnë më herët vetëm shfaqjen e këtyre sjelljeve në Levant. Ato hapin gjithashtu një dritare drejt mënyrës se si njohuritë përcilleshin përmes mësimdhënies dhe të nxënit në këto vendbanime të hershme.

Duke analizuar gjurmët e gishtërinjve në argjilë, studiuesit vunë re se shumë prej tyre u përkisnin fëmijëve, përfshirë edhe disa nën moshën dhjetë vjeç.

“Gjurmët e gishtërinjve të fëmijëve dëshmojnë se ata ishin të përfshirë drejtpërdrejt në fazat e ndryshme të krijimit të figurave, si modelimi dhe ngjyrosja”, thotë Davin. “Mendoj se funksioni i disa figurave lidhet me përcjelljen ndërbreznore të informacionit kulturor në komunitetet natufiane.”

Veçanërisht domethënëse është një figurë ku shihen gjurmë gishtërinjsh të mbivendosura: njëra i përket një gruaje të re, ndërsa tjetra është lënë nga një fëmijë. Kjo mund të pasqyrojë një moment mësimdhënieje parahistorike, kur modeli kalonte nga duart e një të rrituri që shërbente si mësues te një nxënës i ri që mësonte të krijonte këto vepra artistike.

Ndërkohë, stili dhe përmbajtja e skulpturave japin të dhëna të tjera për funksionin e tyre edukues. Për shembull, shumë prej figurave paraqesin shpendë ujorë me kokën të kthyer poshtë dhe majtas, duke imituar sjelljen e disa llojeve të rosave gjatë periudhës së çiftëzimit.

Prandaj, ato mund të jenë krijuar për të përcjellë njohuri të rëndësishme mbi sjelljen e kafshëve dhe praktikat kulturore që lidhen me disa lloje shpendësh. “Këto figurina zogjsh mund të interpretohen si mjete portative figurative dhe mnemonike, të lidhura me të nxënit nga ana e fëmijëve të besimeve tradicionale dhe njohurive etno-ornitologjike”, shpjegoi Davin.

Përvetësimi i artit të krijimit të objekteve prej argjile me fuqi shprehëse mund të ketë qenë, pra, një mjet për të arritur një qëllim tjetër: formimin kulturor të brezave të rinj.

“Thënë thjesht, mund të mendojmë se aspekti më i rëndësishëm i të nxënit për fëmijët nuk ishte domosdoshmërisht krijimi i figurave, por rrëfimi i historive që lidhen me këta zogj”, përfundon ai.