9 zyrtarë nga Somalia zhduken pas mbërritjes në Prishtinë!

9 zyrtarë nga Somalia zhduken pas mbërritjes në Prishtinë!

21:14, 12/11/2026

Nëntë persona që kishin ardhur në Kosovë në kuadër të një delegacioni zyrtar nga Somalia nuk janë kthyer së bashku me pjesën tjetër të delegacionit, duke nxitur reagimin e autoriteteve kosovare, të cilat i kanë kërkuar Qeverisë së Somalisë sqarime për vendndodhjen dhe sigurinë e tyre.

Lajmi është raportuar nga mediat somaleze, të cilët shkruajnë se rasti ka nxitur shqetësime diplomatike dhe një hetim në lidhje me mënyrën se si ishte organizuar udhëtimi i delegacionit.

Sipas raportimit, delegacioni somalez kishte arritur në Kosovë më 25 tetor 2026, me një fluturim të kompanisë Turkish Airlines.

Në përbërje të delegacionit ishin ministri i Shtetit për Punë Publike, Banesa dhe Rindërtim, Said Mohamed Mohamud, dhe zëvendësministrja e Porteve, Fartuun Abdikadir Farah, së bashku me anëtarë të tjerë të delegacionit.

Megjithatë, qëndrimi i nëntë personave mori një drejtim tjetër nga pjesa tjetër e delegacionit.

Më 27 tetor, rreth orës 19:10, nëntë anëtarët u larguan nga akomodimi Dua Village në Prishtinë, pa njoftuar autoritetet përkatëse.

Një ditë më vonë, më 28 tetor, dy zyrtarët drejtues të delegacionit u larguan nga Kosova. Ndërkaq, nëntë personat e tjerë nuk u paraqitën në terminalin VIP të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, ku ishte planifikuar nisja e tyre.

Rasti bëri që institucionet kosovare t'i drejtohen autoriteteve somaleze përmes kanaleve diplomatike.

Sipas mediumit somalez, më 30 tetor, Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës i dërgoi Qeverisë së Somalisë një notë diplomatike, duke kërkuar informacione për vendndodhjen dhe gjendjen e nëntë personave.

Ndërkohë, raportimi përmend edhe zhvillime në institucionet somaleze lidhur me këtë rast.

Sipas mediumit, dy zyrtarë të qeverisë federale janë shkarkuar në lidhje me dyshimet për lehtësimin e udhëtimit të këtyre personave, përfshirë pretendimet për pagesa të bëra në kuadër të organizimit të udhëtimit.

Raportohet se nëntë personat të kenë vazhduar udhëtimin drejt vendeve të tjera evropiane dhe të kenë kërkuar azil, por ky informacion nuk është konfirmuar në mënyrë të pavarur. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco