
Avokati i Erion Veliajt, Plarent Ndreca, ka renditur disa argumente që, sipas tij, kanë çuar kryebashkiakun e Tiranës në përfundimin se pas veprimeve të institucioneve ndaj tij qëndron kryeministri Edi Rama. Ndreca përmendi ndjekjen penale pas një kallëzimi anonim, zgjatjen e procesit gjyqësor, moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, shkarkimin e Veliajt dhe transferimin e tij në burgun e Fierit. Sipas avokatit, këto veprime të marra së bashku, krijojnë indicie për ndërhyrje politike dhe synim për neutralizimin politik të Veliajt.
Rakipi: Veliaj pretendon se në momentin e transferimit po i shkelen të drejtat. Sipas tij, dirigjent i kësaj sjelljeje është Edi Rama. Mund të bëni një përmbledhje se si ka mbërritur Veliaj në këtë konkluzion?
Ndreca: Situata ka ardhur në mënyrë dinamike dhe konkluzioni është dinamik. Që nga momenti kur një kryetar bashkie ndiqet për një kallëzim anonim, nga stërzgjatja e gjykimit, nga një gjykatë në gjykatë. Gjykata e Lartë nuk zbaton arsyetimet e Gjykatës Kushtetuese. Fakti që ndëshkimet për shkelje procedurale dhe marrja e tetë muajve nga Gjykata Kushtetuese për të marrë një vendim, si dhe kulmimi me këtë transferim, pa u arsyetuar se pse ndodhi, dhe akti i fundit i shkuarjes së ministrit të Drejtësisë në zyrën e drejtorit të burgut të Fierit, sigurisht që krijojnë konkluzionin se ka qëllime të fshehta ose të qarta për të ndaluar Veliajn.
Bushati: Në të gjithë ekspozenë nuk mund të themi që është Rama?
Ndreca: Edhe vetë Gjykata e Strasburgut thotë se duhet të ketë indicie për qëllime të fshehta ose të hapura që të konsiderohet persekutim politik. Mos harrojmë ndërhyrjen për shkarkimin e zotit Veliaj. Këto, në një mënyrë apo një tjetër, ndikojnë edhe në aspektin penal. Në momentin që ti shkarkon një funksionar të pafajshëm, patjetër që quhet ndërhyrje politike. Fakti që nënkryetarja e deleguar kishte një shpërkëputje të fortë nga kryetari i Bashkisë, të gjitha këto, në mënyrë kumulative, bëjnë që zoti Veliaj të neutralizohet politikisht.
Bushati: Të thuash se ka ndërhyrje Rama, ai ka dy mënyra. Mënyra e parë, si kryetar i forcës politike, mund të ndërhyjë politikisht.
Ndreca: E tha Gjykata, nuk lejohet.
Bushati: Edhe ju bind. Është tjetër të ndërhysh politikisht, sepse dëshiron të ushtrosh vullnetin e forcës tënde politike, dhe tjetër të ndërhysh në institucionet e drejtësisë.
Ndreca: Edhe vetë Gjykata e Strasburgut thotë që mjaftojnë indiciet për ndërhyrje në një proces apo në cenimin e prezumimit të pafajësisë së dikujt.
