Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka njoftuar gjetjen e mbetjeve mortore në fshatin Brod të Komunës së Shtërpës. Sipas njoftimit, ështrat janë gjetur gjatë aktiviteteve të kërkimit dhe gërmimeve në një vendodhje të dyshuar për personat e zhdukur me dhunë që prej 6 nëntorit, pas marrjes së urdhërit gjyqësor. Gjatë gërmimeve, Komisioni njofton se nuk ishte arritur të lokalizohej varri i dyshuar, për shkak të ndryshimeve që kishte pësuar terreni ndër vite. Sakaq, njoftohet se mbetjet mortore të gjetura do t'i nënshtrohen ekzaminimeve të mëtejshme mjekoligjore dhe procedurave të identifikimit përmes analizës së ADN-së. Trajtimi I kësaj vendodhjeje, thotë Komisioni është bërë edhe në kuadër të bashkëpunimit rajonal, përfshirë komunikimet me Drejtorinë e Republikës së Kroacisë për Personat e Zhdukur gjatë Luftës Atdhetare, si dhe bashkëpunimin me familjet e personave të zhdukur, Këshillin Koordinues të Asociacioneve Familjare të të Zhdukurve të Kosovës dhe qytetarët që kanë ofruar informacione të rëndësishme. Sipas të dhënave të publikuara nga Instituti për Krimet e Kryera gjatë Luftës në Kosovë (IKKL), të paktën 13,227 persona u vranë, u zhdukën me forcë ose humbën jetën si pasojë e luftës. Autoritetet e Kosovës kanë kryer gërmime në mbi 20 vendodhje brenda territorit.