E mbylli zyrtarisht më kuqezinjtë, Armando Sadiku nderohet para Shqipëri-Finlandë

Një ceremoni emocionuese i është kushtuar Armando Sadikut pak çaste përpara sfidës mes Shqipërisë dhe Finlandës. Ish-sulmuesi kuqezi ka marrë një vlerësim të veçantë nga Federata Shqiptare e Futbollit, në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tij me fanellën e Kombëtares.
Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, nderoi 35-vjeçarin, i cili gjatë karrierës së tij me Shqipërinë zhvilloi 38 ndeshje dhe shënoi 12 gola.
“Faleminderit futboll! Do të më mungosh!”, ishte mesazhi i ndjerë i Sadikut, i cili më 21 tetor njoftoi vendimin për t’i dhënë fund karrierës si futbollist profesionist.
Emri i tij do të mbetet i lidhur përjetësisht me një nga momentet më të bukura të historisë së futbollit shqiptar. Goli i shënuar ndaj Rumanisë në Euro 2016 i dhuroi Shqipërisë fitoren e parë në një Kampionat Europian, duke e kthyer Sadikun në një nga protagonistët e paharruar të asaj aventure historike.
Edhe pse nuk do të jetë më në fushën e lojës, ish-sulmuesi nuk do të largohet nga bota e futbollit. Ai pritet të nisë një etapë të re në Zvicër, ku do të angazhohet si drejtues sportiv te skuadra e Bellinzonës.




