Nga energjia te zonat e mbrojtura, çfarë vendosi Këshilli i Ministrave në mbledhjen e sotme

Këshilli i Ministrave ka miratuar në mbledhjen e kësaj të enjteje disa projektligje dhe vendime që lidhen me eficiencën energjetike, sigurinë kibernetike dhe procesin e integrimit evropian.
Në mbledhjen e qeverisë u miratuan gjithashtu ndryshime në mekanizmin e koordinuar për trajtimin e rasteve të dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje, si dhe u dha mendimi për projektligjet që lidhen me ndarjen administrativo-territoriale dhe zonat e mbrojtura.
Në përfundim të mbledhjes, qeveria vendosi edhe lirimin nga detyra të Endrit Hoxhës, i cili mbante postin e zëvendësministrit të Turizmit, Kulturës dhe Sportit.
Këshilli i Ministrave vendosi miratimin e projektligjeve:
-Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9374, datë 21.4.2005, “Për ndihmën shtetërore”, të ndryshuar.
-Për eficiencën energjetike.
Qëllimi i këtij ligji është të përcaktojë një kuadër të përgjithshëm masash për promovimin dhe përmirësimin e eficiencës energjetike në Republikën e Shqipërisë.
-Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 25/2024, “Për sigurinë kibernetike”.
U miratuan dhe vendimet si më poshtë:
-Për disa ndryshime dhe shtesa në vendimin nr. 422, datë 6.5.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për përbërjen, rregullat e funksionimit dhe trajtimin financiar të grupit negociator dhe detyrat e kryenegociatorit për zhvillimin e negociatave të aderimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian”, të ndryshuar
-Për përbërjen, funksionimin, detyrat dhe përgjegjësitë e anëtarëve të mekanizmit të koordinuar të referimit të rasteve të dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje.
-Për dhënie mendimi Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për projektligjin j(o)qeveritar “Për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë”.
-Për dhënien e mendimit Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për dy projektligjet joqeveritare “Për shfuqizimin e ligjit nr.21/2024, “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.81/2017, “Për zonat e mbrojtura””.
-U miratua dhe lirimi nga detyra i Z. Endrit Hoxha si zëvendësministër i Turizmit, Kulturës dhe Sportit.




