VIDEO/ Ajazi Lika: Anulimi i samitit të NATO-s është i paprecedentë, nuk di arsyen e vendimit

20:21, 12/11/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Ish-ambasadori i Shqipërisë në NATO, Visho Ajazi Lika, i ftuar në emisionin ‘Ora 19’ me moderatoren Armela Ferko në SYRI TV, ka komentuar anulimin e samitit të NATO-s që ishte parashikuar të zhvillohej në Tiranë në vitin 2027.

Ajazi Lika e cilësoi të paprecedentë anulimin e samitit, duke theksuar se nuk ka dijeni për arsyet konkrete që çuan në këtë vendim.

Ai tha se organizimi i një samiti të NATO-s është një ndërmarrje jashtëzakonisht e vështirë, që kërkon kapacitete të mëdha logjistike dhe garanci të plota sigurie.

‘Shiko, ju keni të drejtë kur thoni që kështu është praktika, procedura ose protokolli. Pasi mbaron Samiti i radhës, drejtuesi i samitit i cili zakonisht është Kryeministri ose Presidenti i vendit mikpritës, ose në rastin konkret Sekretari i Përgjithshëm, deklaron që samiti tjetër do të zhvillohet në një vend x, që i takon një aleati tjetër, ose në Bruksel.

Nga eksperienca ime në NATO, vitet e fundit, përfshirë nga 20-a e mbrapa, është shtuar, është vështirësuar mbajtja e samiteve në vende të tjera, sepse normalisht një rregull ka qenë, jo normë e pashkruar ka qenë që samitet të bëheshin në Bruksel edhe për arsye logjistike.

Të them të drejtën, kur mora vesh që do bëhej samiti në Shqipëri, unë i pata dy ndjenja të ndryshme. Së pari është krenari, sigurisht që të bëhet samiti i NATO-s, çdo vend i NATO-s do ta ëndërronte pa dyshim.

Ndjesia e dytë ishte se: a e bëjmë dot ne? Unë e di se sa e vështirë është kjo punë. Unë e kam parë me sytë e mi domethënë. Ne pamë se çfarë angazhimi të jashtëzakonshëm kemi pasur në Budapest njëherë dhe pastaj në Vilnius.

Është me të vërtetë një ndërmarrje gjigante do të thosha e logjistikës së pari. Por së dyti po ashtu po aq e vështirë dhe e ndërlikuar është edhe ana e sigurisë së këtij samiti. Po bëhet fjalë për... të gjithë krerët e shteteve, liderët e botës, të cilët duhet të kenë siguri absolute për të zhvilluar një samit të tillë, por jo vetëm në aspektin kinetik, por veçanërisht në aspektin kibernetik. Domethënë duhet të sigurohet 100% mbulimi i sinjalit dhe të gjitha këto gjëra. Me të vërtetë është një ndërmarrje e jashtëzakonshme dhe shumë e vështirë. Megjithatë, ata e pohuan që do bëhej në Shqipëri dhe siç ju thashë ishte moment krenarie, por gjithmonë me atë frikën që ore mos është një hap pak si i tepërt për tu bërë. Tani, që u anulua ky takim, nuk e kam idenë se çfarë është arsyeja. Por unë besoj që, së pari do të thosha që ka qenë e llogaritur... a mund të bëhet në një vend kaq të vogël sa Shqipëria një samit i tillë? Shikoni, Lituania nuk është shumë më e madhe se Shqipëria, por Lituania është e rrethuar me aleatë të fuqishëm siç ishte rasti konkret ishte Polonia e cila ka pasur një mbështetje shumë të madhe për Lituaninë. Njëra arsye.

Arsyeja tjetër janë dhe kohërat e turbullta që po kalojmë. NATO do të jetë 100% e sigurt që vendi ku shkon plotëson të gjitha kushtet e sigurisë për të realizuar një samit të NATO-s jashtë godinës së NATO-s. Siç ju thashë është një iniciativë e jashtëzakonisht e komplikuar. Kështu që kjo mund të jetë një arsye tjetër. Arsye të tjera mund të jenë nga më të ndryshmet.

Është e paprecedentë. Së pari është e paprecedentë sepse nuk u deklarua në samitin paraardhës, siç e thatë dhe ju. Unë nuk jam plotësisht i sigurt për këtë punë, por po bazohem në atë çfarë thatë ju.

Vetëm dua të theksoj në këtë pikë që ka qenë një precedent tjetër i cili jo në nivel samiti të NATO-s, por ka qenë këtu në mos gaboj në 2022-shin apo në 2020-ën, ishte parashikuar dhe ishte vendosur që do mbahej samiti i Ministrave të Mbrojtjes, që përsëri ishte një ngjarje shumë e rëndësishme, në Tiranë.

Dhe për këtë kohë në këtë kohë mbaj mend se kam qenë shumë i përfshirë, llogaritej që ky samit, ngaqë ne nuk kishim një ambient të madh, domethënë një si qendër tregtare ose diçka e tillë, një ambient të madh, ishte llogaritur të bëhej në mes të Hotel Tiranës dhe Muzeut Historik Kombëtar në atë kohë.’, u shpreh Visho Ajazi Lika në SYRI TV.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco