Të gjitha bizneset që do të sponsorizojnë artin , kulturën dhe sportin tanimë do të përfitojnë lehtësira financare. Vendimi I marrë u njoftua mëngjesin e së enjtes nga Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve Blendi Gonxhe.
“Për herë të parë bizneset që sponsorizojnë artin, kulturën dhe sportin sipas dispozitave të reja do të mund ta zbresin faturën e sponsorizimit direkt deri në 30% të tatimit të tyre mbi fitimin. Skema parashikon një tavan deri në 2 miliard le të reja në vit ose rreth mbi 22 milion euro në dispozicion të financimit të sportit, artit dhe kulturës përmbi programet e miratuara vjetore të buxhetit të shtetit”, tha Gonxhja.
Projektligji i miratuar sot ndërthur propozimet e qeverisë me ato të dy deputetëve Erion Braçe dhe Taulant Balla. Për Report TV, Braçe shpjegon se varianti i paraqitur prej tyre nuk parashikonte vendosjen e një tavani, dhe se vlera prej afro 22 milion eurosh apo 2 miliard lekësh është e pamjaftueshme
"Nga ministri dëgjova për një tavan. Dakord, duhet të ketë një tavan për të patur në kontroll procesin, vecanërisht për sportin, i cili duhet të perfshijë doemos formalizimin e ekipeve, të ardhurave e shpenzimeve të tyre, të të gjithëve dhe çdo transaksioni që kryhet. Por tavani prej 2 miliardë lekësh-22 milionë eurosh, është i pamjaftueshëm" tha Braçe.
Si shembull Braçe merr klubin e futbollit Egnatia.
"Bëni një përpjekje e pyesni sa ka shpenzuar Egnatia vit për vit për të arritur një objektiv sportiv dhe ekonomik sic është hyrja në grupet e Europa Conference League; pyeteni është për përfitimin ekonomik dhe do e kuptoni pse tavani është i pamjaftueshëm" shpjegoi ai.
Për më tepër projektligji, përfshin jo vetëm sportet, por dhe artin e kulturën, duke rrezikuar që sponsorizimet nga biznesi të shkojnë në një numër të kufizuar skuadrash sportive, apo eventesh artistike.

Ministri Blendi Gonxhja e ka cilësuar si “një kapitull të ri për sportin, artin dhe kulturën shqiptare” miratimin nga Këshilli i Ministrave të ndryshimeve në ligjin për donacionet dhe sponsorizimet.
Sipas Gonxhjas, ndryshimet synojnë të sigurojnë deri në 2 miliardë lekë në vit për sportin, artin dhe kulturën, përtej fondeve të buxhetit të shtetit, përmes mbështetjes së biznesit.
Ministri bëri të ditur se projektligji parashikon mundësinë e zbritjes së drejtpërdrejtë të deri në 30% të tatimit mbi fitimin për sponsorizimet, si dhe krijimin e një regjistri elektronik kombëtar për të garantuar më shumë transparencë dhe kontroll.
Gonxhja theksoi se nisma synon të krijojë një model të ri bashkëpunimi mes shtetit dhe biznesit, duke shtuar mundësitë e financimit për talentet e reja në sport, art dhe kulturë.










Komente
Komento