Tragjedi në Turqi, rrëzohet helikopteri ushtarak në Malatja, humbin jetën 4 ushtarë

12/11/2026 19:24

Një aksident i rëndë ajror është regjistruar në Turqi, ku një helikopter ushtarak i tipit S-70 është rrëzuar në provincën e Malatjas. Si pasojë e aksidentit, kanë humbur jetën katër ushtarakë që ndodheshin në bord.

Lajmi është konfirmuar nga Ministria turke e Mbrojtjes, e cila bëri të ditur se helikopteri pësoi një aksident për shkaqe që ende nuk janë përcaktuar.

Në njoftimin zyrtar thuhet se ekipet kanë mbërritur në vendin ku është rrëzuar helikopteri dhe kanë nisur menjëherë operacionet e kërkim-shpëtimit.

Ngjarja ka ndodhur në zonën Samanköy, në distriktin Yeşilyurt të Malatjas. Pas aksidentit, në vendngjarje janë dërguar ambulanca, zjarrfikëse dhe ekipe të shumta mjekësore. Ministria e Mbrojtjes konfirmoi më pas se katër ushtarakët që ndodheshin në helikopter kanë humbur jetën.

“Si pasojë e aksidentit të helikopterit tonë të tipit S-70 në Malatja, për një arsye që ende nuk është përcaktuar, katër ushtarakët tanë trima që ndodheshin në bord kanë rënë në krye të detyrës”, thuhet në deklaratën e ministrisë.

Institucioni shprehu ngushëllimet për familjarët e viktimave, Forcat e Armatosura turke dhe gjithë qytetarët e vendit.

Në zonën e aksidentit ka mbërritur edhe guvernatori i Malatjas, Seddar Yavuz, i cili ka kryer inspektime në terren së bashku me përfaqësues të autoriteteve ushtarake.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Yavuz konfirmoi vdekjen e katër ushtarakëve dhe shprehu ngushëllimet për familjet e tyre.

Shkaqet e rrëzimit të helikopterit mbeten ende të paqarta, ndërsa pritet që hetimet të zbardhin rrethanat e plota të aksidentit.

Top Channel