'Nuk shkohet me Ramën në zgjedhje', Burimi: Bandat ndikojnë votën, SPAK zgjohet pas raportit të OSBE-ODIHR

18:55, 12/11/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

I ftuar në një intervistë në ‘Task Force’ me Sonila Meçon në SYRI TV, gazetari Genc Burimi akuzoi kryeministrin Edi Rama për standard të dyfishtë në raport me demokracinë dhe proceset zgjedhore.

Burimi u ndal te deklaratat e Ramës për ndikimin e rrjeteve sociale në demokracinë evropiane, duke ngritur pyetjen se përse kryeministri pranon ndikimin e faktorëve të jashtëm në zgjedhje, por mohon ndikimin e bandave dhe parave brenda Shqipërisë.

Gazetari ngriti gjithashtu pikëpyetje për reagimin e vonuar të SPAK-ut ndaj denoncimeve për vjedhjen e votave dhe përdorimin e shtetit në funksion të Partisë Socialiste, duke sjellë në vëmendje edhe rastin e Shkodrës dhe deklaratën e Ramës për ndërprerjen e ndihmave ndaj qytetarëve që nuk votonin kandidatin socialist.

Burimi theksoi se çështja themelore mbetet garantimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, duke nënvizuar se largimi i Ramës nuk e zgjidh automatikisht problemin e sistemit të drejtësisë. Në këtë kontekst, ai u shpreh prerë se “nuk shkohet me Ramën në zgjedhje”, duke theksuar se beteja kryesore politike duhet të jetë rotacioni politik.

Pjesë nga intervista:

Domethënë, e kemi thënë ndoshta thelbin dhe sot në dritë, por kur ai sot predikon për Evropën nga njëra anë, ndërkohë që qeveria e tij, ai vetë, është i paaftë të bëjë negociata në vendin e tij, me njerëzit e vendit të tij për të kaluar në qeveri teknike. Kjo është e para. Cinizmi i dytë i tij është me frymën tënde. Ky, kudo që shkon jashtë dhe brenda, në intervista, të shërben të njëjtën supë: influencën madhore të rrjeteve sociale, që po thërrmojnë demokracinë.

Po edhe një detaj të fundit, duket për televizionin francez, kur e tha që, në kuptimin sa më të thellë të mendjes, thotë: çfarë po ndodh me këtë influencë në rrjetet sociale? Evropa po ha barrën e vet. Atëherë ky, në çfarë mënyre, kaq intelektual në thonjëza në Francë, e pranon këtë forcë virtuale të rrjeteve sociale në demokraci, dhe pse nuk e pranon ky forcën reale të bandave në zgjedhje? Më kupton çfarë paradoksi?

Domethënë, këtij i duket normale, logjike, që një nga larg, nga Rusia a të tjera gjetkë, të influencojë aty, kurse ai që ka brenda me miliona dollarë, e paska të pamundur. Sipas Ramës që thotë 'i kam fituar në zgjedhje të ndershme'. Kjo është e para. Gjëja e dytë: Pse SPAK-u sot zgjohet, pas aq e aq raportimesh. Skandaloz, skandaloz pas zgjedhjeve të majit të kaluar. Pikërisht për vjedhjen e votave, pikërisht për shtetin dhe partinë, pikërisht pas atij shantazhi që bëri Rama në Shkodër në zgjedhje lokale, ku tha nëse nuk votoni për kandidatin e Partisë Socialiste, ne ju presim ndihmat.

Problemi është se, pyetja duhet të bëhet: po me këtë drejtësi, a mund të shkohet në zgjedhje të ndershme? Problemi është se edhe po e rrëzove Ramën ti, kjo drejtësi do ngelë. Shiko sa e vështirë do e kenë ta ndërrojnë drejtësinë. Sepse parlamenti sot e ka burgosur, e ka blinduar atë reformë drejtësie në Kushtetutë, ku të duhen 2/3 e Kuvendit për ta arritur të bësh atë reformë. Pra, ty sot të duhet mendimi i avokatëve, atyre që merren me ligje kushtetuese, se si mund të zhbëjnë disa ligje organike të reformës në drejtësi. Që nuk varen nga 2/3 e Kuvendit.

Jam shumë dakord që pyetja që bëre ti ka lidhje me zgjedhjet lokale. Prandaj ndërrojmë pak temë, po unë e kapa atë drejtësi sepse vërtet duhet t'i themi të vërtetat, mos ta mbajnë kaq kollaj këtë idenë se po rrëzuam Ramën, u zgjidh. Ata mbeten. Duhet sot tek PD-ja një establishment inovativ, kreativ, për të parë se si mund të ndryshohet ca pjesë e reformës në drejtësi pa qenë i detyruar të kalosh nga Kuvendi me 2/3. Se s'do e kesh kurrë këtë mazhorancë. Të paktën të bëhet diçka normale, kur SPAK-u refuzon të hetojë diçka, t'i jepet prokurorisë së qytetit... Tani vijmë te zgjedhjet. Ne folëm për bashkimin e opozitës për një kandidat të përbashkët. Po për mendimin tim ky debat për kandidatët, shkon dhe e kanibalizon debatin kryesor, themelor, që nuk shkohet me Ramën në zgjedhje. Për mua strategjikisht opozita do të bjerë në klapat e debatit mbi zgjedhjet lokale, se ka kohë ende. Të gjitha mjetet sot duhet të përqendrohen tek rrotacioni politik. Deri kur të vijë momenti ultim, që nuk ka më kohë dhe duhet të çosh një emër për zgjedhjet lokale. Për sot është luks i tepruar ky.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco