
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka përcjellë një mesazh përpara takimit me emisarët amerikanë, duke kundërshtuar çdo përpjekje për të negociuar çështjen e territoreve ukrainase pa miratimin e Kievit. Ai kërkon që Europa të jetë veçanërisht e vëmendshme ndaj diskutimeve mes Uashingtonit dhe Moskës, pasi bisedimet për garancitë e sigurisë mund të shkojnë përtej Ukrainës dhe të përcaktojnë një arkitekturë të re sigurie mes Europës dhe Rusisë.
Zelenski tha se Kievi ende nuk ka marrë informacion të mjaftueshëm nga pala amerikane për përmbajtjen e këtyre diskutimeve, por paralajmëroi se çdo vendim që e trajton territorin ukrainas sikur të mos i përkasë Ukrainës është një sinjal shqetësues. “Nëse dikush në Amerikë po merr një vendim që, në thelb, e trajton territorin ukrainas sikur të mos jetë ukrainas, atëherë kjo na tregon se në ç’drejtim po shkojnë gjërat”, u shpreh presidenti ukrainas.
Ai theksoi se qëndrimi i Kievit mbetet i pandryshuar dhe se pushtimi rus nuk duhet të njihet në asnjë rrethanë. “Duhet ta kemi të qartë dhe të mos e njohim kurrë, në asnjë mënyrë, pushtimin rus të territorit ukrainas”, deklaroi Zelensky.
