Shqipëria përafron legjislacionin bankar me BE-në, ja çfarë parashikon ligji i ri për institucionet e kreditit
Në kuadër të procesit të integrimit evropian dhe angazhimeve për Kapitullin 9 “Shërbimet Financiare”, një projektligj i ri dhe gjithëpërfshirës pritet të riformatojë tërësisht mënyrën se si funksionojnë dhe mbikëqyren institucionet e kreditit në vend. Sipas relacionit shoqërues, kjo nismë vjen si një “rishikim tërësor dhe konsolidim i plotë i kuadrit ligjor ekzistues”, duke shfuqizuar ligjin e vitit 2006, i cili tashmë nuk përmbush kërkesat e acquis communautaire të Bashkimit Evropian.
Zgjerimi i kompetencave
Një nga shtyllat kryesore të projektligjit është fuqizimi i Bankës së Shqipërisë. Për herë të parë në legjislacionin shqiptar, institucioni qendror financiar “pajiset me mandate të plota dhe kompetenca të qarta makroprudenciale”. Kjo përfshin identifikimin e bankave me rëndësi sistemike, vendosjen e shtesave kundërciklike të kapitalit dhe zbatimin e masave të bazuara në huamarrësin.
Për të garantuar disiplinën në treg, ligji ashpërson masat administrative. Gjobat proporcionale për personat juridikë mund të arrijnë “deri në 10% të të ardhurave totale neto” nga aktiviteti bankar, ndërsa për individët dhe drejtuesit përgjegjës, gjobat mund të shkojnë deri në 5 milionë euro. Si një risi thelbësore, përfshihet “koncepti i gjobave me pagesa periodike”, të cilat vijojnë derisa institucioni të adresojë plotësisht shkeljet.
Inovacioni, kripto-asetet dhe rreziqet klimatike
Ndryshimet teknologjike dhe krizat globale kanë diktuar rregulla të reja. Dokumenti thekson se ligji “krijon bazën ligjore për inovacionin financiar, përfshirë kripto-asetet, paranë elektronike dhe për shërbime të reja teknologjike”.
Përtej digjitalizimit, bankat do të detyrohen të vlerësojnë dhe administrojnë “rreziqet MSQ (mjedisore, sociale dhe të qeverisjes)”, duke hartuar plane tranzicioni drejt një ekonomie me emetime të ulëta karboni, në përputhje me agjendën e gjelbër evropiane.
“Pasaporta e vetme” dhe integrimi evropian
Në prag të anëtarësimit në BE, projektligji fut konceptin e “pasaportës së vetme”. Ky mekanizëm do t’u lejojë institucioneve të kreditit të licencuara në Shqipëri që të “hapin degë ose të ofrojnë direkt shërbime në shtete të tjera anëtare”, pa pasur nevojë për licenca të reja. Anasjelltas, bankat evropiane do të mund të operojnë lirshëm në Shqipëri bazuar në licencën e vendit të origjinës, një hap që pritet të rrisë konkurrencën dhe cilësinë e shërbimeve financiare.
Rregullimi i subjekteve jobanka dhe mbrojtja e konsumatorit
Për të mos lënë asnjë hapësirë rregullatore që mund të krijojë rreziqe në të ardhmen, ligji përfshin një rregullim të plotë të institucioneve financiare jobanka (mikrokreditë, qiraja financiare, faktoringu). Këto subjekte do t’i nënshtrohen procedurave strikte të licencimit dhe transparencës. Veçanërisht për subjektet që “blejnë dhe mbledhin kredi me probleme”, ligji specifikon se ato “nuk mund të aplikojnë interesa, penalitete apo tarifa më të larta” se marrëveshja fillestare dhe ndalohen të japin kredi të reja.
Për konsumatorët e thjeshtë, rritet detyrimi i bankave për transparencë absolute mbi interesat, komisionet dhe kushtet e punës, ndërsa krijohet baza për “zgjidhjen alternative të mosmarrëveshjeve”, jashtë dyerve të gjykatave.
Dalja nga tregu, likuidimi i detyruar
Në rastet ekstreme kur një bankë dështon, ligji sqaron se për institucionet e kreditit “nuk zbatohen procedurat e falimentit sipas legjislacionit për falimentin”.
Në vend të kësaj, Banka e Shqipërisë menaxhon një proces të posaçëm të “likuidimit të detyruar”, që ka si synim “mbrojtjen e stabilitetit financiar dhe e depozituesve e kreditorëve”. Për herë të parë, vendoset një hierarki e qartë e shlyerjes së detyrimeve, ku depozitat e siguruara dhe kostot e likuidimit qëndrojnë në krye të listës së prioriteteve. /rtsh/









