
Të paktën 14 persona kanë humbur jetën dhe 30 të tjerë janë plagosur në një aksident të rëndë rrugor në emiratin Fujairah të Emirateve të Bashkuara Arabe, ku u përfshinë 18 automjete dhe pesë kamionë. Ngjarja ndodhi të enjten, më 12 nëntor. Sipas Policisë së Fujairah, aksidenti në Fujairah konsiderohet një nga më vdekjeprurësit në historinë e vendit, raporton Klan News Kosova, partner i Nacionale në Kosovë dhe Maqedoni të Veriut.
Në vendngjarje kanë shkuar ekipet e emergjencës dhe grupet e specializuara për të hetuar shkaqet dhe rrethanat e aksidentit tragjik, bëri të ditur Ministria e Brendshme e Emirateve të Bashkuara Arabe, e cila konfirmoi në një deklaratë se bilanci fillestar i ngjarjes është 14 të vdekur dhe 30 të plagosur.
Autoritetet vijojnë procedurat në terren për të verifikuar rrethanat e plota të aksidentit. Përplasja ndodhi pak para mesnatës në rrugën Sheikh Khalifa bin Zayed, pranë hyrjes së emiratit, kur drejtuesi i një kamioni humbi kontrollin e automjetit. Sipas Policisë së Fujairah, kamioni u përplas fillimisht me një automjet tjetër, më pas u përmbys dhe goditi disa makina që kishin ndaluar për shkak të trafikut të rënduar.
Përplasja shkaktoi zjarr në kamion, i cili u përhap edhe në disa automjete të tjera. Menjëherë pas ngjarjes, ekipet e emergjencës, forcat e mbrojtjes civile, ambulancat dhe policia mbërritën në vendngjarje. Ato ndërhynë për shuarjen e zjarrit dhe transportimin e të plagosurve drejt spitaleve.
Sipas Policisë së Fujairah, 15 nga personat e plagosur kanë dalë nga spitali, ndërsa 15 të tjerë vijojnë të marrin trajtim mjekësor. Mes viktimave ka edhe shtetas të Emirateve të Bashkuara Arabe. Për identifikimin e disa prej personave të tjerë që humbën jetën, autoritetet po përdorin testet e ADN-së.
Ministria e Brendshme bëri të ditur se ekipet e emergjencës dhe grupet e specializuara kanë mbërritur në vendngjarje për të hetuar shkaqet dhe rrethanat e aksidentit tragjik. Informacionet zyrtare do të shpallen sapo të verifikohen, theksoi institucioni. Ai u ka bërë thirrje qytetarëve të informohen përmes burimeve zyrtare dhe të shmangin përhapjen e thashethemeve apo të informacioneve të paverifikuara.
Ministria kërkoi respekt për familjet e viktimave dhe për procesin e identifikimit e të hetimit që po zhvillohet. Në deklaratën e saj, Ministria e Brendshme shprehu ngushëllimet më të sinqerta për familjet e viktimave dhe urimin për shërim të shpejtë të të plagosurve.
