
Një tjetër sukses i rëndësishëm për sportin shqiptar vjen nga shahu. Mateu Boçi, vetëm 16 vjeç, ka fituar medaljen e artë në Kampionatin Europian të Shahut për grupmoshën U16, të zhvilluar në Kretë të Greqisë, nga data 4 deri më 12 nëntor.
Me këtë rezultat, talenti i ri shqiptar ngjitet në majën e shahut europian, duke konfirmuar potencialin dhe përkushtimin e tij në këtë sport. Pas disa titujve kombëtarë, Boçi arrin tashmë suksesin më të madh të karrierës së tij deri më sot.
Arritja e tij është përshëndetur edhe nga kryeministri Edi Rama, i cili përmes një postimi në Facebook e ka cilësuar lajmin si një zhvillim të bukur për shahun shqiptar.
Suksesi i 16-vjeçarit vjen në një moment kur shahu po merr vëmendje të shtuar edhe në politikat arsimore të vendit. Pak ditë më parë, Rama bëri të ditur se qeveria synon të vendosë një buxhet të posaçëm për zgjerimin e kësaj disipline në shkollat shqiptare.
