Legjenda italiane e MotoGP-së, Valentino Rossi, ka rikthyer vëmendjen te konflikti i vitit 2015 me Marc Márquez, duke pranuar se ngjarjet e asaj sezoni vazhdojnë ta lëndojnë emocionalisht edhe pas më shumë se një dekade. Gjatë promovimit të autobiografisë “La mia storia” në Itali dhe në një intervistë për “Radio Deejay”, Rossi foli për rivalitetin me spanjollin dhe rikujtoi edhe episode personale dhe profesionale.
Ai rrëfeu një episod humoristik nga jeta private: partnerja Francesca Sofia Novello ishte shtatzënë me vajzën Giulietta dhe data e parashikuar e lindjes, 17 shkurt 2022, përkonte me ditëlindjen e Márquezit. Rossi tregoi me humor frikën se vajza mund të lindte në të njëjtën ditë me rivalin, duke këshilluar që të prisnin edhe 24 orë. Në fakt, Giulietta lindi më 4 mars 2022.
Përtej batutave, Rossi shprehu sërish zhgënjimin për ngjarjet e vitit 2015, kur humbi mundësinë për të fituar titullin e dhjetë botëror. Rivaliteti kulmoi në Çmimin e Madh të Malajzisë në Sepang, ku një duel i ashpër përfundoi me rrëzimin e Márquezit dhe me ndëshkimin e Rossit. Për pasojë, Rossi u detyrua të niste garën vendimtare të sezonit në Valencia nga fundi i renditjes, duke humbur një avantazh kyç në garën për titullin, që në fund e fitoi Jorge Lorenzo.
Rossi vuri në dukje se historia e 2015-s i duket më absurde tani dhe se e zemëron ende, duke theksuar se Márquez nuk luftonte për kampionatin atë vit, por sipas tij veproi që Rossi të humbiste. Ai pranoi se emocionet kur e kujton ngjarjen janë pothuajse të njëjtat si natën në Valencia dhe se kjo e shqetëson. Megjithatë përpiqet të shikojë të kaluarën nga këndvështrime të tjera dhe të mos përqendrohet vetëm tek ajo që humbi, duke shtuar se në sport ajo që humbet dhemb më shumë se ajo që fiton.
Konflikti i Sepangut të 2015-ës mbetet një nga episodet më të diskutueshme në historinë e MotoGP-së dhe një nga arsyet kryesore për shndërrimin e marrëdhënies mes Rossit dhe Márquezit në një rivalitet të ashpër, që vazhdon të diskutohet edhe sot.
