Ambasada e Italisë në Kosovë ka shprehur shqetësim lidhur me votimin e mundshëm të ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara, që pritet të shqyrtohen të premten në Kuvendin e Kosovës.
Në një reagim publik, ambasada ka vlerësuar se ndryshimet e propozuara ngrenë shqetësime serioze lidhur me zotimet ndërkombëtare të Kosovës dhe respektimin e parimeve të sundimit të ligjit.
Sipas saj, shqetësimet lidhen veçanërisht me pavarësinë e gjyqësorit, mbrojtjen e viktimave dhe dëshmitarëve, vazhdimësinë e të drejtave procedurale dhe llogaridhënien efektive.
“Ndryshimet ngrenë gjithashtu shqetësime lidhur me kushtetutshmërinë e tyre”, thuhet në reagimin e Ambasadës italiane.
Ambasada ka bërë të ditur se, që nga kthimi i ligjit në Kuvend për rishqyrtim, ka qenë e angazhuar në përcjelljen e shqetësimeve dhe pritshmërive të saj tek autoritetet e Kosovës.
Ajo ka theksuar se para miratimit të çfarëdo ndryshimi duhet të zhvillohen konsultime paraprake, në përputhje me zotimet ndërkombëtare të Kosovës.
“Na vjen keq që këto konsultime ende nuk janë zhvilluar”, thuhet në deklaratë.
Ambasada italiane ka vlerësuar se miratimi i ligjit në formën aktuale nuk do t’u shërbente as interesave të Kosovës dhe as interesave të personave të dënuar së fundmi nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.