Autori i të shtënave në Uashington D.C. gjendet i pajetë pas përplasjes me policinë, një viktimë dhe katër të plagosur
Personi i armatosur, i cili dyshohet se vrau një person dhe plagosi katër të tjerë gjatë një sulmi me armë zjarri në lagjen Logan Circle të Uashington D.C.-së, është gjetur i pajetë brenda apartamentit të tij. Sipas burimeve të zbatimit të ligjit, autori duket se ka kryer vetëvrasje pas një përballje me forcat e policisë.
Ngjarja e rëndë u regjistrua të enjten në mëngjes në zonën e Rrugës së 15-të Veriperëndimore (15th St NW). Shefi i përkohshëm i Departamentit të Policisë Metropolitane, Jeff Carroll, sqaroi bilancin e sulmit, duke konfirmuar se “një person u qëllua dhe vdiq brenda një palestre”. Ai shtoi se autoritetet gjetën në vendngjarje edhe “gjithsej katër individë që u qëlluan dhe u transportuan për ndihmë mjekësore”.
Gjatë operacionit për neutralizimin e autorit, policia evakuoi dhe siguroi godinën ku ndodhën të shtënat, si dhe një kompleks banimi aty pranë. Për rreth një orë, negociatorët e policisë u përpoqën të bindnin personin e armatosur t’i jepte fund situatës në mënyrë paqësore, por situata u përshkallëzua.
“Ai qëlloi përmes derës drejt oficerëve të paktën dy herë,” shpjegoi Carroll.
Fundi i rrethimit erdhi pak minuta më vonë pasi dështuan përpjekjet e komunikimit.
“Vetëm pak çaste më parë, ndërsa komunikonin me atë individ, oficerët dëgjuan një të shtënë me armë zjarri,” u tha Carroll gazetarëve.
“Si përgjigje ndaj kësaj, oficerët hynë me forcë në apartament. Kur e bënë këtë, ata e gjetën të dyshuarin që vuante nga një plagë me armë zjarri.”, tha ai.
Autoritetet janë duke hetuar motivet e sulmit dhe sfondin e autorit. Sipas të dhënave paraprake, hetuesit besojnë se ngjarja mund të ketë zanafillën në një mosmarrëveshje lokale.
“Ne kemi një ide se kush është ai,” theksoi shefi i policisë, duke shtuar se ekzistojnë dyshime për “një lloj konflikti me ndërtesën e apartamenteve, por nuk kemi shumë më tepër se kaq” për momentin.










