‘Më thanë: ‘nuk është Horner Racing, por Red Bull Racing’’/ Christan Horner rrëfen shkarkimin e tij nga skuderia e Formula 1
Legjenda italiane e MotoGP-së, Valentino Rossi, ka rikthyer edhe një herë në vëmendje konfliktin e famshëm me Marc Márquez në vitin 2015, duke pranuar se ajo që ndodhi në atë sezon vazhdon ta lëndojë emocionalisht, edhe pas më shumë se një dekade.
Gjatë një turi intervistash në Itali, ku po promovon autobiografinë e tij të re, të titulluar “La mia storia” (Historia ime), Rossi ka folur edhe për rivalitetin me pilotin spanjoll, duke u ndalur në disa prej momenteve më të veçanta të karrierës së tij.
Në një intervistë për radion italiane “Radio Deejay”, ish-piloti i Yamaha-s ka treguar edhe një episod humoristik nga jeta e tij private, që lidhet pikërisht me Márquezin.
Rossi kujtoi se partnerja e tij, Francesca Sofia Novello, ishte shtatzënë me vajzën e tyre Giulietta, e cila mund të kishte lindur më 17 shkurt 2022. Kjo datë përkonte me ditëlindjen e Marc Márquezit, rivalit të tij më të madh në pistë. “Erdhi një moment kur ekzistonte rreziku që Giulietta të lindte në të njëjtën ditë me Márquezin”, tregoi Rossi duke qeshur.
Prezantuesi i emisionit rrëfeu me humor reagimin e tij kur mësoi se vajza kishte lindur në një datë tjetër: “Hap librin dhe them: ‘Po Giulietta ka lindur në të njëjtën ditë me Marc Márquezin?’ Dhe ajo më përgjigjet: ‘Joooo!’”.
Rossi vijoi shakanë duke thënë: “I thashë: ‘Mos bëj shaka me mua. Rri e qetë, mos lëviz, mbaji këmbët mbyllur, sepse duhet të presim edhe 24 orë’”.
Në fakt, Giulietta nuk lindi më 17 shkurt, por disa ditë më vonë, më 4 mars 2022. Përtej batutave, italiani nuk e fshehu edhe një herë zhgënjimin për atë që ndodhi në sezonin 2015, kur humbi mundësinë për të fituar titullin e dhjetë kampion bote në karrierë.
Rivaliteti mes dy pilotëve arriti kulmin në Çmimin e Madh të Malajzisë, në Sepang, ku një duel i ashpër mes tyre përfundoi me rrëzimin e Márquezit dhe ndëshkimin e Rossit. Ky i fundit u detyrua ta niste garën vendimtare të sezonit në Valencia nga fundi i renditjes, duke humbur një avantazh të rëndësishëm në garën për titullin, të cilin në fund e fitoi Jorge Lorenzo.
“Historia e vitit 2015 është edhe më absurde tani dhe më zemëron akoma më shumë, sepse Márquez nuk po luftonte për kampionatin. Lorenzo dhe unë ishim ata që luftonim për titullin. Ai luftonte vetëm që unë të humbisja dhe në fund ia arriti. Kjo është diçka që nuk harrohet kurrë, ende më dhemb”, deklaroi Rossi.
Ish-kampioni italian pranoi se, edhe pse kanë kaluar më shumë se 10 vjet nga ajo ngjarje, emocionet që përjeton kur e kujton janë pothuajse të njëjta.
“Kanë kaluar më shumë se 10 vjet, por ndjesia dhe gjendja ime shpirtërore kur mendoj për atë ngjarje janë të njëjta si atë natë në Valencia. Kjo më shqetëson pak”, u shpreh ai.
Rossi shtoi se shpesh përpiqet ta shohë të kaluarën nga një këndvështrim tjetër, duke mos u përqendruar vetëm te ajo që humbi.
“Shumë herë shikohem në pasqyrë dhe i them vetes: ‘Të mos përqendrohemi te ajo që humbëm, por ndoshta te gjërat e tjera’. Por kështu është sporti: ajo që humbet të dhemb shumë më tepër sesa të gëzon ajo që fiton”, përfundoi legjenda e MotoGP-së.
Konflikti i Sepangut në vitin 2015 mbetet një nga episodet më të diskutueshme në historinë e MotoGP-së dhe një nga arsyet kryesore pse marrëdhënia mes Valentino Rossit dhe Marc Márquezit u shndërrua në një rivalitet të ashpër, që vazhdon të jetë temë diskutimi edhe sot.
Top Channel