Çmimet e karburanteve në Shqipëri kanë pësuar një tjetër rritje. Bordi i Transparencës ka vendosur tarifat e reja të shitjes me pakicë, duke rritur me 5 lekë çmimin e naftës dhe me 1 lek atë të benzinës.
Sipas vendimit të marrë këtë të enjte, nafta do të tregtohet me një çmim maksimal prej 210 lekësh për litër, nga 205 lekë që ishte deri më tani.
Edhe benzina do të kushtojë më shumë. Çmimi i saj maksimal është caktuar në 165 lekë për litër, kundrejt 164 lekëve që ishte më parë.
Ndryshe paraqitet situata për gazin e automjeteve, çmimi i të cilit nuk ka ndryshuar dhe mbetet në 71 lekë për litër.
Çmimet e reja hyjnë në fuqi sot, më 12 nëntor, në orën 18:30 dhe do të qëndrojnë në fuqi deri në vendimmarrjen e radhës së Bordit të Transparencës.












