Bordi i Transparencës dhe Kufizimit të Përkohshëm të çmimeve të tregtimit me shumicë/pakicë të nënprodukteve të naftës dhe të gazit, në mbështetje të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 711, datë 16.09.2026, dhe në zbatim të nenit 21/3 dhe 21/5 të Ligjit 8450, datë 24.2.1999, si dhe të Aktit Normativ nr. 1, datë 3.4.2026, zhvilloi mbledhjen e rradhës dhe në datë 12 nëntor 2026 vendosi kufizime të çmimeve për produktet hidrokarbure.
Bordi përcaktoi çmimin maksimal të shitjes me pakicë për nënproduktin gazoil të standardit SSH EN 590 në 210 lekë/litër dhe çmimin maksimal të shitjes me shumicë në 198 lekë/litër. Për nënproduktin benzinë të standardit SSH EN, çmimi maksimal i shitjes me pakicë u vendos në 165 lekë/litër dhe ai i shitjes me shumicë në 153 lekë/litër. Për nënproduktin gaz, çmimi i shitjes me pakicë për automjetet u përcaktua në 71 lekë/litër dhe çmimi i shitjes me shumicë në 59 lekë/litër. Për aktivitetin e peshkimit, çmimi i gazoilit u vendos në 114 lekë/litër.
Çmimet e vendosura nga Bordi hynë në fuqi në të njëjtën ditë, më 12 nëntor, ora 18:30, dhe do të mbeten të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit, ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes. Bordi tërheq vëmendjen e çdo operatori të shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës për detyrimin e zbatimit të këtij vendimi.
Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullimi i aktivitetit. Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit së bashku me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë janë angazhuar të mbrojnë interesat e konsumatorëve shqiptarë dhe ruajtjen e parimeve të konkurrencës së ndershme në treg.

