Raporti përfundimtar i auditimit nxjerr në pah një varg parregullsish në administrimin e Bashkisë Durrës gjatë viteve 2023–2024. Nga tenderët ku janë shpallur fitues kompani që nuk plotësonin kriteret, te pagesat për punime të pakryera, borxhet tatimore prej 1.86 miliardë lekësh dhe mungesa e kontrollit mbi sistemin elektronik të taksave, KLSH ka evidentuar shkelje në disa prej sektorëve më të rëndësishëm të institucionit.
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar shkelje të shumta në administrimin e fondeve publike, procedurat e prokurimit, zbatimin e investimeve, mbledhjen e taksave, dhënien e lejeve të ndërtimit dhe kontrollin e territorit në Bashkinë Durrës të drejtuar nga Emiriana Sako.
Raporti përfundimtar, i hartuar në tetor 2026, mbulon veprimtarinë e bashkisë për periudhën 1 janar 2023 – 31 dhjetor 2024. Audituesit kanë evidentuar 44 gjetje dhe kanë dhënë 45 rekomandime, ndërsa për veprimtarinë e institucionit kanë dhënë opinion të kualifikuar, pasi kanë konstatuar devijime materiale nga kërkesat ligjore dhe rregullatore.
Një nga gjetjet më problematike lidhet me tenderët publikë. KLSH ka audituar 27 procedura prokurimi, me fond limit të përgjithshëm 2.85 miliardë lekë. Në 11 prej këtyre procedurave, komisionet e vlerësimit kanë kualifikuar dhe shpallur fitues operatorë ekonomikë që nuk plotësonin të gjitha kërkesat e përcaktuara në dokumentet e tenderit.
Audituesit kanë konstatuar gjithashtu se në shtatë procedura kriteret kualifikuese nuk ishin në përputhje të plotë me legjislacionin. Raporti evidenton kërkesa të paargumentuara ose joproporcionale me objektin e kontratave, me potencial për të cenuar konkurrencën dhe trajtimin e barabartë të kompanive pjesëmarrëse.
Për shkeljet në tenderë, KLSH i ka rekomanduar Agjencisë së Prokurimit Publik marrjen e masave disiplinore dhe administrative ndaj anëtarëve të njësive të prokurimit dhe komisioneve të vlerësimit të ofertave.
Problemet vazhdojnë edhe pas përfundimit të tenderëve. Nga auditimi i 11 kontratave të investimeve, me vlerë të përgjithshme rreth 2.21 miliardë lekë me TVSH, KLSH ka konstatuar diferenca në volumet e punimeve, të cilat kanë shkaktuar 30.35 milionë lekë dëm ekonomik, pa TVSH, në buxhetin e bashkisë.
Për këtë shumë, audituesit kërkojnë marrjen e masave administrative dhe ligjore për rikuperimin e dëmit. Në një tjetër gjetje, KLSH evidenton 14.23 milionë lekë fonde të përdorura në mënyrë joefektive, si pasojë e hartimit të pasaktë të fondit limit dhe përfshirjes së TVSH-së për makineri dhe pajisje.
Raporti konstaton edhe nisjen e punimeve publike pa lejet e nevojshme. Në kontratën për rikonstruksionin e rrugëve në qytet, të vitit 2023, audituesit evidentojnë se sipërmarrësi kishte filluar punimet pa disponuar lejen e ndërtimit, në kundërshtim me legjislacionin.
Por një prej problemeve më të ndjeshme që nxjerr raporti lidhet me sistemin elektronik të administrimit të taksave dhe tarifave vendore.
Sipas KLSH-së, kompania private që administronte sistemin informatik të Bashkisë Durrës kishte akses të plotë në të, ndërkohë që bëhet fjalë për një bazë të dhënash që përmban informacion mbi bizneset, familjarët dhe detyrimet e tyre tatimore.
Audituesit kanë konstatuar se bashkia nuk kishte një rregullore të brendshme për funksionimin e sistemit, nuk dispononte dokumentacion të plotë mbi administrimin e përdoruesve dhe nuk kishte informacion të qartë për mënyrën e trajtimit të aksesit të punonjësve që largoheshin nga detyra ose ndryshonin pozicion.
Po kështu, institucioni nuk kishte një person përgjegjës të autorizuar për administrimin e bazës së të dhënave dhe marrjen në dorëzim të kodit burimor. Shërbime në këtë sistem kryheshin nga personel që nuk ishte pjesë e strukturës organizative të bashkisë.
KLSH evidenton se baza e të dhënave nuk ishte regjistruar pranë autoritetit përgjegjës sipas kërkesave ligjore dhe se bashkia nuk kishte zhvilluar auditime të brendshme të teknologjisë së informacionit.
Problemi nuk kufizohej vetëm te siguria e sistemit. Sipas raportit, informacioni i gjeneruar prej tij nuk përputhej me evidencat zyrtare mbi të cilat Drejtoria e Taksave planifikonte dhe raportonte të ardhurat.
Edhe më problematik është konstatimi se në sistem figuronin subjekte që kishin detyrime të papaguara dhe rezultonin aktive në Qendrën Kombëtare të Biznesit, por në regjistrin e bashkisë paraqiteshin si të mbyllura, pasive ose të pezulluara.
Ky status ndërpriste gjenerimin e njoftimit të detyrimit tatimor, megjithëse subjektet rezultonin aktive në QKB. Audituesit kanë konstatuar se nuk kishte rakordim të rregullt me institucionet tatimore për verifikimin e të dhënave.
Raporti evidenton gjithashtu se, kur një subjekt kërkonte ndryshimin e statusit në QKB, mungesa e përgjigjes së bashkisë brenda afateve ligjore mund të sillte ndryshimin automatik të statusit. Më pas, sistemi bashkiak ndërpriste faturimin, edhe në rastet kur subjekti kishte detyrime të papaguara.
Në të njëjtën kohë, KLSH ka konstatuar se bashkia nuk dispononte kontrolle të mjaftueshme mbi saktësinë e të dhënave të regjistruara dhe nuk kishte dokumentacion që të provonte rakordimin e rregullt të informacionit me Tatimet dhe QKB-në.
Në fund të vitit 2024, detyrimet e papaguara nga subjektet private dhe familjarët kishin arritur në 1.86 miliardë lekë, nga 1.72 miliardë lekë në fund të vitit 2023. KLSH kërkon rakordimin e detyrimeve, verifikimin e funksionimit të sistemit dhe ndjekjen e procedurave ligjore për arkëtimin e borxheve.
Një tjetër problem i konstatuar është mosfunksionimi i sistemit të faturimit të taksave për familjarët. Sipas raportit, gjatë qershorit dhe korrikut 2023 nuk ishte faturuar asnjë abonent për shkak të problemeve teknike. Detyrimet e këtyre muajve ishin ngarkuar më vonë, gjatë marsit dhe prillit 2024.
Situata u përsërit edhe në vitin 2024, kur faturimi i taksave dhe tarifave vendore për abonentët familjarë nisi vetëm në tetor dhe vijoi deri në prill 2025.
KLSH ka konstatuar gjithashtu se Bashkia Durrës nuk kishte hartuar regjistrin e taksapaguesve familjarë. Për rrjedhojë, nuk kishte një evidentim të plotë të familjeve që nuk ishin abonente të Ujësjellësit dhe që duhej të paguanin taksat drejtpërdrejt në bashki.
Edhe marrëdhënia me Ujësjellës Kanalizime Durrës, që vepronte si agjent tatimor, paraqiste mangësi. Rakordimet kryheshin për shumat e transferuara në buxhetin e bashkisë, por jo për të përcaktuar saktësisht sa detyrime kishin familjarët, sa kishin paguar dhe sa mbeteshin debitorë.
Në administrimin e taksës së tokës bujqësore, KLSH ka evidentuar se bashkia nuk dispononte regjistër të plotë të taksapaguesve dhe nuk kishte të dhëna të përditësuara për sipërfaqet dhe kategoritë e tokës. Për vitet 2023 dhe 2024 ishin planifikuar nga 45 milionë lekë të ardhura në vit, por realizimi kishte qenë përkatësisht vetëm 9 milionë dhe 15.6 milionë lekë.
Sipas audituesve, planifikimi i këtyre të ardhurave nuk ishte mbështetur në të dhëna reale. Nga 17,299 familje të trajtuara me tokë bujqësore, gjatë vitit 2023 kishin paguar vetëm 1,251 familje, ndërsa në vitin 2024 vetëm 1,574.
Parregullsi të rëndësishme janë konstatuar edhe në administrimin e lejeve të ndërtimit. Në pesë praktika, taksa e ndikimit në infrastrukturë nuk ishte llogaritur në përputhje me sipërfaqen e objekteve dhe paketën fiskale, duke shkaktuar 18.74 milionë lekë të ardhura të munguara për bashkinë.
Në nëntë praktika të tjera nuk ishin respektuar plotësisht kushtet e përcaktuara në Planin e Përgjithshëm Vendor dhe lejet e zhvillimit. Shkeljet përfshinin distancat ndërmjet objekteve, lartësinë e ndërtimeve, intensitetin dhe koeficientin e shfrytëzimit të territorit.
KLSH ka konstatuar gjithashtu se në pesë raste dokumentacioni i pronësisë i ngarkuar në sistemin elektronik të lejeve nuk ishte i përditësuar dhe mungonte konfirmimi përkatës nga Kadastra. Në dy praktika, gjendja faktike e ndërtimeve nuk përputhej me lejet e miratuara, ndërsa në tri raste kishte mangësi në dokumentacionin dhe verifikimet që duhet të kryheshin përpara dhënies së certifikatave të përdorimit.
Një tjetër sektor ku audituesit kanë evidentuar shkelje është Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit. Sipas KLSH-së, në 200 raste kryeinspektori nuk kishte vijuar procedurën për nxjerrjen e urdhrave të ekzekutimit për prishjen e ndërtimeve të kundërligjshme.
Në 23 procedura, për të cilat audituesit kanë evidentuar elemente të veprës penale të ndërtimit të paligjshëm, inspektorati nuk kishte referuar indiciet pranë organeve kompetente. KLSH ka konstatuar gjithashtu se për raste të ngjashme ishin ndjekur procedura të ndryshme, duke evidentuar përdorimin e dy standardeve.
Problemet shtrihen edhe te gjobat. Nga 277 vendime administrative me vlerë të përgjithshme 79.49 milionë lekë, ishin arkëtuar vullnetarisht vetëm 9.6 milionë lekë, ndërsa 69.89 milionë lekë mbeteshin të paarkëtuara. Në 252 raste mungonte konfirmimi i njoftimit të kundërvajtësve.
Në 65 raste, inspektorati kishte vendosur gjoba prej 500 mijë lekësh për punime pa leje, megjithëse, sipas KLSH-së, masa duhej të përllogaritej sipas dispozitave përkatëse të ligjit për planifikimin dhe zhvillimin e territorit. Në 53 procedura të viteve 2023–2024, kundërvajtjet nuk ishin dokumentuar me fotografi ose video.
Raporti evidenton edhe raste kur nuk ishin marrë vendime për pezullimin e punimeve, pavarësisht nevojës për plotësimin e dokumentacionit apo përmirësimin e kushteve të sigurisë teknike në objekt.
Gjetjet e KLSH-së përfshijnë kështu të gjithë zinxhirin e administrimit të Bashkisë Durrës: nga përcaktimi i kritereve të tenderëve dhe përzgjedhja e fituesve, te kontrolli i punimeve, administrimi i taksave, funksionimi i sistemeve elektronike dhe zbatimi i ligjit ndaj ndërtimeve të paligjshme.
Përveç rikuperimit të dëmit ekonomik dhe arkëtimit të detyrimeve, KLSH kërkon analizimin e rasteve të kualifikimit të kompanive që nuk plotësonin kriteret e tenderëve, identifikimin e përgjegjësive administrative dhe marrjen e masave ndaj zyrtarëve të përfshirë në shkeljet e konstatuara.






