Një traditë e pazakontë fetare ka tërhequr vëmendjen në Indi, ku dhjetëra besimtarë janë shtrirë përtokë, duke lejuar që tufa me lopë dhe dema të dekoruar të kalojnë mbi trupat e tyre.
Rituali zhvillohet në fshatin Dasai, në distriktin Dhar të shtetit Madhya Pradesh, gjatë festivalit tradicional të njohur si "Gaay Gohari", i cili organizohet çdo vit pas festës së Diwali-t.
Përpara ceremonisë, kafshët zbukurohen me ngjyra, zile dhe kurora me lule, ushqehen posaçërisht dhe nderohen përmes lutjeve. Më pas, pjesëmarrësit shtrihen barkas në tokë, në mënyrë që tufat e lopëve dhe demave të kalojnë mbi ta.
Për banorët vendas, kjo nuk është thjesht një traditë e trashëguar, por një akt i fortë besimi. Ata besojnë se përmes këtij rituali marrin bekimet e "Gau Mata", emërtimi me të cilin lopa e shenjtë nderohet në traditën hindu, duke kërkuar shëndet, paqe dhe begati.
Sipas një banori të quajtur Ramprasad Parmar, tradita lidhet edhe me premtimet fetare që familjet bëjnë në momente të vështira. Për shembull, banorët mund të zotohen për të marrë pjesë në ritual nëse bien reshjet e shumëpritura, nëse sigurojnë një të korrë të mbarë apo nëse kafshët e tyre shërohen nga sëmundjet.
Pasi dëshirat e tyre plotësohen, ata e konsiderojnë pjesëmarrjen në këtë ceremoni si një mënyrë për të shprehur mirënjohjen dhe për të mbajtur premtimin e bërë.
Pamjet e këtij rituali janë shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale, duke ngjallur habi dhe interes te njerëzit që nuk e njohin këtë traditë shekullore të disa komuniteteve indiane.