
Një datë që prej dekadash është lidhur me një skenar katastrofik për njerëzimin po rikthehet në qendër të vëmendjes. Bëhet fjalë për 13 nëntorin 2026, ditën që, sipas një studimi të publikuar në vitin 1960 nga tre studiues amerikanë, do të shënonte një pikë kritike për popullsinë botërore.
Kjo çështje u diskutua në emisionin “Mes’ditë”, ku Elena Demollari dhe pastori Akil Pano hodhën poshtë pretendimet se kjo datë do të shënojë fundin e botës. Demollari ishte e drejtpërdrejtë në qëndrimin e saj, duke e cilësuar 13 nëntorin një ditë krejt të zakonshme. “Dita e nesërme është një ditë e zakonshme si çdo ditë e javës. Nuk do të ndodhë asgjë”, u shpreh ajo, duke paralajmëruar se interpretimet alarmuese që qarkullojnë në rrjetet sociale po krijojnë frikë të panevojshme.
Sipas saj, periudha mund të shoqërohet me zhvillime dhe tronditje në jetën familjare, financiare apo politike, por kjo nuk nënkupton një katastrofë me përmasa globale. Pastori Akil Pano solli në vëmendje origjinën e kësaj teorie, e cila lidhet me përllogaritjet matematikore të fizikantit Heinz von Foerster dhe dy kolegëve të tij. Studimi parashikonte se rritja e vazhdueshme e popullsisë do ta çonte njerëzimin drejt një pike kritike më 13 nëntor 2026, kur burimet jetike, si ushqimi dhe uji, do të bëheshin gjithnjë e më të pamjaftueshme. “E gjithë historia e këtij studimi për datën 13 nëntor 2026 doli një farsë e madhe”, deklaroi ai.
Për të argumentuar qëndrimin e tij, Pano iu referua rënies së lindshmërisë dhe plakjes së popullsisë, fenomene që po prekin veçanërisht Kinën dhe shumë vende europiane. Sipas tij, sfida demografike e kohës sonë nuk është më mbipopullimi, por tkurrja e popullsisë dhe mungesa e lindjeve. “Rreziku më i madh sot nuk është mbipopullimi, por reduktimi maksimal i lindjeve”, theksoi Pano, duke kërkuar më shumë politika mbështetëse për familjen dhe nxitjen e lindshmërisë. Ai veçoi edhe Shqipërinë, e cila, sipas tij, duhet t’i kushtojë më shumë vëmendje kësaj problematike.
