Bashkia e Durrësit do të shpronësojë prona private në zonën e Currilave me çmime të përllogaritura mbi bazën e vlerës së tokave bujqësore, ndonëse bëhet fjalë për një zonë urbane ku vlera e tregut është shumë herë më e lartë se kompensimi i miratuar.
Këshilli Bashkiak miratoi me 30 vota pro dhe 9 kundër ndryshimet në vendimin për shpronësimet që lidhen me projektin e ndërtimit dhe zgjerimit të rrugës që lidh Currilat me rrugën “Aleksandër Goga”. Fondi i përgjithshëm u rrit nga 249.7 milionë në 268.7 milionë lekë, rreth 19 milionë lekë më shumë se në vendimin e mëparshëm të tetorit.
Debati u përqendrua te metodologjia e vlerësimit të pronave, të cilat, megjithëse ndodhen brenda vijës së verdhë të qytetit, janë trajtuar si toka bujqësore të kategorive “ullishte” dhe “arë”. Për përcaktimin e çmimit është përdorur harta e vlerës së tokës, e miratuar me VKM nr. 89 të vitit 2016, duke marrë si referencë zonën e fshatit Vrinë.
Këshilltarët demokratë Edlira Harizi dhe Ardian Muka kundërshtuan këtë përllogaritje, duke argumentuar se çmimet e tokave bujqësore në Vrinë nuk pasqyrojnë vlerën reale të pronave në Currila.
Sipas tyre, kjo metodologji penalizon pronarët, të cilët për të kërkuar një kompensim më të drejtë do të detyrohen t’i drejtohen gjykatës.












