Meloni mbështet Antonio Costën si negociator të BE-së për Ukrainën: Nuk kam asnjë kundërshtim

Europë | 1 minutë më parë

Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, ka shprehur mbështetjen e saj për mundësinë që Antonio Costa të shërbejë si i dërguari i Bashkimit Evropian në negociatat për Ukrainën, duke theksuar se Roma nuk ka asnjë rezervë ndaj kësaj kandidature.

Duke folur për gazetarët në margjinat e samitit të Komunitetit Politik Evropian (CPE) që po zhvillohet në Dublin, Meloni u shpreh e hapur ndaj këtij propozimi, por vuri në dukje nevojën për të gjetur një mekanizëm përfshirës edhe për vendet evropiane jashtë unionit.

“Lidhur me Antonio Costën si negociator i BE-së për Ukrainën, nuk do të kisha asnjë kundërshtim. Çështja se si do të përfaqësohen vendet evropiane që nuk janë në BE mbetet qartësisht e hapur, njëra prej të cilave është Britania e Madhe dhe Norvegjia. Por mendoj se një zgjidhje mund të gjendet edhe këtu”, deklaroi kreu i qeverisë italiane.

E pyetur mbi tryezat e shumta diplomatike të ngritura për çështjen e Ukrainës dhe praninë e Italisë në to, Meloni minimizoi rëndësinë e pjesëmarrjes formale në çdo grupim të veçantë, duke nënvizuar angazhimin e vazhdueshëm dhe konstruktiv të vendit të saj.

“Ka shumë formate në Ukrainë, nuk ka rëndësi nëse Italia është atje apo jo. Si Itali, ne kemi qenë gjithmonë të pranishëm në të gjitha formatet në të cilat është kërkuar prania jonë. Ne e kemi bërë gjithashtu dhe po e bëjmë qartë me dëshirën për të dhënë një kontribut pozitiv”, shtoi kryeministrja.

Në përfundim të prononcimit të saj, ajo përsëriti se prania ose mungesa e Italisë në një tryezë të caktuar nuk ndikon në qëndrimin e saj mbi efikasitetin e këtyre iniciativave.

“Fakti që Italia është e pranishme ose jo në këtë apo atë format nuk e ndryshon gjykimin mbi shumë formate që diskutojnë këtë çështje”, përfundoi Meloni.

 /rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme