FOTOT/ Të shtëna me armë në Uashington D.C., pesë të plagosur dhe të paktën një viktimë pranë Shtëpisë së Bardhë

Pesë persona janë qëlluar me armë zjarri të enjten në lagjen Logan Circle të Uashington D.C.-së, rreth një milje në veri të Shtëpisë së Bardhë, ndërsa të paktën një person ka humbur jetën brenda një palestre. Forca të shumta policore dhe ekipe speciale kanë rrethuar një bllok apartamentesh aty pranë, ku dyshohet se ndodhet autori i ngjarjes.
Sipas të dhënave paraprake nga policia, ngjarja ndodhi rreth orës 08:00 të mëngjesit në zonën e Rrugës së 15-të, një lagje e populluar ku ndodhet qendra e fitnesit VIDA, Kisha Episkopale e Shën Lukës, rezidenca banimi dhe një supermarket. Autoritetet mbyllën shkollat e zonës dhe rrethuan bllokun, duke u bërë thirrje qytetarëve të shmangin lëvizjet aty, ndërsa ekipet SWAT u pozicionuan në terren dhe në çatinë e një ndërtese fqinjë.
Një zyrtar i zbatimit të ligjit, i cili foli për “Associated Press” në kushte anonimiteti, bëri me dije se autori dyshohet se ka hapur zjarr fillimisht brenda palestrës dhe më pas ka dalë jashtë duke qëlluar sërish. Po ashtu, hetuesit besojnë se ai ka qëlluar një person tjetër në ashensorin e një garazhi parkimi, përpara se të hynte në katin e shtatë të pallatit.
Dëshmitari okular James Spellman, i cili ndodhej brenda palestrës me rreth 50 persona të tjerë në momentin e sulmit, përshkroi skenat e panikut.
“Brenda sekondash, një burrë ra në tokë dhe një pellg gjaku doli nga aty”, tregoi ai, duke shtuar se një anëtar i palestrës nxitoi ta ndihmonte viktimën, por ai kishte ndërruar jetë menjëherë pasi ishte qëlluar në qafë. Spellman tha se dëgjoi dy të shtëna brenda ambienteve të palestrës dhe pesë ose gjashtë të tjera jashtë saj, teksa të pranishmit vraponin për të dalë.
Edhe banorët e zonës raportuan për zhurmën e të shtënave. Ryan Dubicki, i cili ndodhej në apartamentin e tij pranë vendngjarjes, tha se dëgjoi rreth pesë krismat e para.
“Ata ishin shumë të shpërndarë, kështu që mendova se ishte ndërtim”, u shpreh ai, duke shtuar se pak çaste më vonë zona u mbush me forca policie.
Në mbështetje të policisë lokale për hetimin e rrethanave të ngjarjes kanë mbërritur edhe agjentë të Byrosë Federale të Alkoolit, Duhanit, Armëve të Zjarrit dhe Eksplozivëve (ATF), si dhe zyra e FBI-së në Uashington.
Lagjja Logan Circle është përballur me incidente të sigurisë edhe më herët. Në fillim të gushtit të vitit 2025, një ish-anëtar i Departamentit të Efikasitetit të Qeverisë të administratës së Presidentit Donald Trump u sulmua në këtë zonë nga një grup adoleshentësh gjatë një tentative për grabitje automjeti. Vetëm pak ditë pas atij incidenti, Presidenti Trump vendosi kontroll të drejtpërdrejtë federal mbi sigurinë e kryeqytetit, duke dislokuar qindra trupa të Gardës Kombëtare për frenimin e kriminalitetit, masë e cila vijon të jetë në fuqi edhe sot.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.








