Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Edmond Spaho, e sheh të ardhmen e PD-së të lidhur ngushtë me largimin e Sali Berishës nga drejtimi i saj. I ftuar në emisionin “Sot Live në Shqipëri” në Report TV, Spaho tha se demokratët po vuajnë pasojat e gabimeve politike të 13 viteve të fundit dhe se partia nuk mund të ringrihet pa ndryshime të thella.

“Po nuk u nda nga Berisha, PD nuk ka të ardhme. Ky është një proces organik që kërkon ndryshime të thella. Nuk shoh të ketë asnjë vullnet, ndaj PD është e destinuar të dështojë”, tha Spaho.

Sipas tij, PD ka dështuar të jetë një forcë e vërtetë opozitare që mund të rrëzonte Edi Ramën, ndërsa renditi si gabime të rënda djegien e mandateve parlamentare dhe bojkotimin e zgjedhjeve vendore të vitit 2019.

“PD po vuan atë që ka gatuar vetë në 13 vjet. Ka qenë e paaftë për të qenë forcë e vërtetë opozitare, që të rrëzonte Edi Ramën. Po vuan gabimet e tmerrshme politike me djegien e mandateve dhe mosmarrjen pjesë në zgjedhjet vendore të 2019”, u shpreh ai.

"Gabimi tjetër i madh ishte që kompromentoi të gjitha premtimet e Rithemelimit dhe u zhyt në llumin e PD që drejtohej nga Lulzim Basha e sot po vuan këto gabime. Hapësirat i ka shumë të kufizuara. Në një periudhë të shkurtër PD nuk rivitalizohet" shtoi ai 

Një tjetër çështje ku ish-deputeti u ndal ishte Reforma Zgjedhore. Ai akuzoi si PS-në, ashtu edhe PD-në se përpiqen ta përdorin procesin për interesat e tyre partiake, një praktikë që, sipas tij, është përsëritur edhe në reformat e viteve 2008, 2020 dhe 2024.

"Të dyja palët përpiqen ta shfrytëzojnë reformën në kuadër të interesave partiake. Nuk është dukuri e sotme. Ka qenë e tillë edhe në vitin 2008, 2020 por edhe ato të 2024. Përgjithësisht dy partitë kanë rënë dakord për interesin e përbashkët të tyre. Njëra ka toleruar tjetrën në interes të njëri tjetrit” tha Spaho.

Ai kundërshtoi qëndrimin e PD-së për të mos marrë pjesë në mbledhjen e fundit të Komisionit të Reformës Zgjedhore, ndërkohë që Sali Berisha është shprehur i gatshëm për lista 100% të hapura.Sipas Spahos, një ndryshim i tillë kërkon konsensus me socialistët dhe nuk mund të arrihet duke qëndruar jashtë komisionit. Ai kërkoi që në diskutime të përfshihen edhe partitë e vogla, të cilat, sipas tij, janë dëmtuar nga sistemet zgjedhore të përcaktuara ndër vite prej dy forcave kryesore.

"Që të miratohen listat e hapura 100% duhet konsensus me PS sepse sistemi zgjedhor nuk është pjesë e rekomandimeve të OSBE-ODIHR. Sistemi përcaktohet nga spektri politik. Duhet që jo vetëm 2 partitë e mëdha të diskutonin për sistemin por edhe partitë e tjera. Sistemi zgjedhor duhet tu japë mundësi edhe partive të vogla të përfaqësohen në parlament.  Kjo nuk ka ndodhur deri më sot. Sistemin zgjedhor e kanë përcaktuar 2 partitë e mëdha dhe ne kemi shkuar nga keq në shumë keq. Sistemi i fundit i 2024 i vuri vulën duke ruajtur nomenklaturat e partive, duke prodhuar cilësinë që kemi në parlament, ku gjithçka është produkt i dëshirave dhe vullnetit të kryetarëve" tha Spaho 

Spaho ngriti pikëpyetje edhe për afatin e 30 nëntorit, të vendosur nga mazhoranca për përfundimin e procesit dhe dërgimin e propozimeve në Kuvend. Sipas tij, koha e mbetur është tepër e shkurtër dhe procesi është lënë qëllimisht për në momentin e fundit, në mënyrë që propozimet të mos kenë kohë të diskutohen me opinionin publik.

Ish-deputeti kritikoi gjithashtu kundërshtimin e PD-së ndaj votimit dhe numërimit elektronik. Ai tha se demokratët, nga njëra anë, i konsiderojnë këto sisteme të manipulueshme, ndërsa nga ana tjetër, pas zgjedhjeve akuzojnë komisionerët e tyre se janë shitur te Rama.

"Nuk është vetëm sistemi. Votimi dhe numërimi elektronik. PD nuk e do sepse mendon që votimi dhe numërimi elektronik janë të manipulueshëm. Ndërkohë nga krahu tjetër, sapo mbarojnë zgjedhjet PD akuzon komisionerët e saj që janë shitur te Rama. Kjo nuk bën sens. Keq kështu e keq ashtu. Komisioneve partiake duhet tu jepet fund njëherë e mirë dhe votimi e numërimi elektronik të shtrihej në të gjithë vendin. Më duken si justifikime për të ngelur në pozicionet e vjetra dhjetra vjeçare të PD. Edhe më parë, PD nuk ka insistuar në modernizimin e sistemit. Më shumë duket për të justifikuar pozicionet e saj, ruajtur status kuonë se sa një argument real i dalë nga realiteti zgjedhor” tha Spaho.

Një pjesë e intervistës iu kushtua edhe protestave studentore dhe përpjekjeve të partive politike për t'u bërë pjesë e tyre. Sipas Spahos, PD është forca më e interesuar, por edhe më e rrezikuar nga krijimi i një lëvizjeje të re opozitare, pasi mund të humbasë monopolin e opozitës.

“PD ndjen riskun e humbjes së monopolit të opozitës, ndaj po përpiqet me të gjitha forcat të jetë pjesë e protestës”, u shpreh ai.

Spaho tha se studentët, nëse përfaqësojnë një lëvizje të pavarur nga partitë, duhet të ruajnë identitetin e tyre dhe ta institucionalizojnë atë, duke synuar edhe pjesëmarrjen në zgjedhjet e ardhshme vendore. Ai kundërshtoi idenë e një bashkëpunimi politik që do ta lidhte lëvizjen studentore me PD-në, duke paralajmëruar se një marrëveshje e tillë do të ishte në dëm të studentëve.

“Nëse PD del me kandidatin e vet, ajo do të silurojë opozitën e re që po krijohet, lëvizjen studentore. Nëse do të arrijnë të gjejnë dakordësinë që të mbështetet kandidati i studentëve, edhe në këtë bashkim artificial PD do të jetë në tërheqje, se do të jetë në periferi të spektrit politik”, tha Spaho.

Sipas tij, jo vetëm PD, por i gjithë spektri politik është konsumuar. Demokratët nga qëndrimi i gjatë në opozitë dhe pamundësia për të ndryshuar realitetin politik, socialistët nga vitet e gjata në pushtet, ndërsa partitë e tjera, sipas Spahos, janë kthyer në kopje të këqija të dy forcave kryesore.

Për këtë arsye, ai këmbënguli se studentët duhet të qëndrojnë të shkëputur nga partitë ekzistuese, nëse duan të ndërtojnë një alternativë të re opozitare.

“Është themelore ruajtja dhe forcimi i identitetit të tyre opozitar, e shkëputur nga çdo parti tjetër”, përfundoi Spaho.