Prokuroria nxori sot 4 urdhër-arreste për zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Kadastrës së Fierit, të dyshuar për tjetërsimin e 44 mijë hektarëve tokë.

Bëhet fjalë për tokë shtetërore ne zonën e Povelçës, e cila përmes dokumenteve të falsifikuara, kaloi në pronësi të një investitori për ndërtimin e paneleve diellore.

Mes personave të arrestuar është Arben Voja, aktualisht drejtor i Spitalit të Fierit, i cili më herët ka drejtuar Agjencinë e Kadastrës në këtë qytet.

Voja dyshohet se, gjatë kohës qe drejtonte Kadastrën, ka kryer dy vepra penale: falsifikim dokumentesh dhe shpërdorim detyre.

Masat e arrestit me burg janë lëshuar edhe për Dilaver Shytin, ish-kreu i Njësisë Administrative Dërmenas; Fjorelo Bidën, punonjëse e Kadastrës dhe Anila Haxhiun, notere.

Ndërsa për Arbina Jaupajn, punonjëse e Kadastrës, prokuroria ka caktuar masën  detyrim paraqitje dhe bllokim të pasaportës per të mos dale jashtë vendit.

Në maj të vitit 2023, Agjencia Shtetërore e Kadastrës e kishte kallëzuar Vojën në SPAK për dyshime për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh, duke pretenduar një dëm prej 9.5 milionë lekësh për shtetin.

Ndërkohë, në dhjetor të vitit 2025, Prokuroria e Fierit dërgoi për gjykim Vojën dhe gjashtë punonjës të tjerë për një çështje të veçantë, që lidhej me dyshime për shkelje në dhënien e lejeve mjedisore gjatë kohës kur ai drejtonte Agjencinë Rajonale të Mjedisit Fier-Vlorë-Gjirokastër.

Hetimet për tjetërsimin e 44 mijë metrave katrorë tokë vijojnë për të zbardhur mënyrën si është kaluar prona nga shtetërore në private dhe rolin e secilit prej personave të përfshirë.

Ky është vetëm hetimi i fundit që prek Kadastrën e Fierit për këtë vit.  Vetëm dy muaj më parë, në shtator 2026, gjykata la në burg dy ish-drejtues të tjerë të Kadastrës së Fierit, Ertis Shehu dhe Bardhyl Kapaj, së bashku me ish-specialistin Piro Çela.

Ata u hetuan për falsifikim dokumentesh dhe shpërdorim detyre, pasi dyshohet se lejuan tjetërsimin e mbi 1,100 hektarëve tokë në zonën e Semanit në favor të ndërtuesve dhe përfituesve privatë. 

Gjatë hetimeve të shtatorit u sekuestruan sipërfaqe të mëdha toke dhe shuma të konsiderueshme parash (mbi 700 mijë euro)

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë