Pse trajnimi nuk mjafton për të punësuar të rinjtë

Qeveritë dhe partnerët e zhvillimit shpesh e shohin mungesën e aftësive si pengesën kryesore për punësimin e të rinjve. Fondet orientohen drejt identifikimit të nevojave të punëdhënësve, hartimit të programeve mësimore dhe forcimit të arsimit profesional.
Megjithatë, këto masa i përgatisin të rinjtë për punë, por nuk garantojnë që ata të punësohen apo ta ruajnë vendin e punës. Studimet sugjerojnë se trajnimi është më efektiv kur kombinohet me ndërmjetësimin për punësim dhe mbështetjen pas rekrutimit.
Përvoja e Tunizisë: Pengesa nuk ishin aftësitë
Në maj 2025, Tunizia nisi programin FBR@WORK, me mbështetjen e qeverisë zvicerane dhe Education Outcomes Fund, për të punësuar 1,500 të rinj që kishin qenë të papunë për më shumë se një vit.
Programi u konceptua fillimisht për të adresuar mungesën e aftësive, por përvoja nxori në pah pengesa të tjera.
Një kompani e industrisë së automobilave në Jendouba, në veriperëndim të Tunizisë, kishte nevojë urgjente për 700 punonjës, përndryshe rrezikonte të humbiste një kontratë të rëndësishme. Kompania ishte e gatshme t’i trajnonte vetë, por nuk arrinte të gjente kandidatë.
Autoritetet vendore organizuan fushata rekrutimi, deri te kontaktimi derë më derë i punëkërkuesve. Kompania punësoi rreth 500 persona, mbi 140 prej të cilëve përmbushnin kriteret e programit.
Në një zonë tjetër, ku bashkëpunimi institucional mbeti vetëm në nivel takimesh, asnjë i ri nga programi nuk arriti të siguronte kontratë të përhershme.
Trajnime më të shkurtra, punësim më i shpejtë
Fillimisht, një ofrues shërbimesh punësimi kishte planifikuar 320 orë trajnim përpara fillimit të punës. Por kompanitë vlerësuan se edhe 100 orë ishin tepër.
Programi u përshtat, duke lejuar fillimin e punës pas vetëm 40 orësh trajnim, ndërsa aftësitë teknike mësoheshin në vendin e punës.
Një tjetër problem ishte ruajtja e punësimit. Disa të rinj largoheshin pas pak javësh për shkak të mungesës së mbështetjes, marrëdhënieve problematike me drejtuesit apo paqartësive kontraktuale.
Në Tunizi, shteti financon trajnimin profesional, por jo identifikimin e kandidatëve apo mbështetjen gjatë javëve të para të punës.
Çfarë duhet të ndryshojë?
Autorët propozojnë tri ndërhyrje: financimin e shërbimeve për identifikimin e punëkërkuesve, mbështetjen e të rinjve gjatë javëve të para të punës dhe financimin e programeve bazuar në rezultatet reale të punësimit.
Megjithatë, një vit zbatim nuk mjafton për të vërtetuar efektivitetin afatgjatë të modelit. Përvoja është gjithashtu më e përshtatshme për kompanitë që rekrutojnë shumë punonjës.
Financimi i bazuar në rezultate mund të ndihmojë, pasi ofruesit shpërblehen kur të rinjtë punësohen dhe e ruajnë vendin e punës, jo thjesht për orët e trajnimit.
Aftësitë janë të rëndësishme, por vetëm ato nuk krijojnë rrugën drejt një punësimi të qëndrueshëm. / WEF
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









