Aktualitet

Alarmi për qumështin me aflatoksinë në Shqipëri, AKU reagon pas sigurimit të analizave nga Top Channel

Me anë të një deklarate për shtyp, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka reaguar pasi Top Channel siguroi analizat për praninë e aflatoksinës në qumësht.

Sipas AKU-së, gjatë periudhës 1 janar-31 tetor 2026, në Pikat e Inspektimit Kufitar janë marrë 28 mostra të ushqimit për kafshë për analizimin e aflatoksinës B1.

Nga këto mostra, 26 kanë rezultuar konform, ndërsa 2 mostra misri me origjinë nga Greqia kanë rezultuar jashtë normave të lejuara. Më pas, ky produkt është asgjësuar.

Gjithashtu, AKU lajmëron se ka hartuar një plan masash tremujor për forcimin e kontrolleve ndaj misrit të importuar. Në kuadër të këtij plani janë marrë 16 mostra të tjera, të cilat janë dërguar pranë laboratorit të referencës ISUV për t’u analizuar për praninë e mykotoksinës së rrezikshme. Deri në momentin e daljes së rezultateve, misri do të qëndrojë i bllokuar në magazinat e subjektit.

Problematikat për cilësinë e drithërave më parë gjithashtu u hetuan edhe nga Kontrolli i Lartë i Shtetit për periudhën 2020-2025, i cili konstatoi problematika të ndryshme që nisnin me kushtet e magazinimit e deri tek mungesa e infrastrukturës laboratorike për të analizuar tipare të ndryshme mbi cilësinë e grurit dhe misrit.