Organizata ndërkombëtare hebraike Chabad-Lubavitch ka njoftuar hapjen e qendrës së saj të parë të përhershme në Shqipëri, duke vlerësuar traditën shqiptare të Besës dhe mikpritjes ndaj hebrenjve gjatë Holokaustit. Njoftimi u bë gjatë Konferencës Ndërkombëtare të të Dërguarve të Chabad-Lubavitch dhe i kushtohet në një artikull të publikuar më 11 nëntor historisë së shqiptarëve që strehuan dhe mbrojtën hebrenjtë nga përndjekja naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Rabini Yossi Fridman, i cili së bashku me bashkëshorten Etka dhe djalin Meir do të vendoset në Shqipëri për të ngritur qendrën, përshkroi Besën si traditë të mbajtjes së premtimit ndaj mikut pavarësisht rrethanave dhe rreziqeve. Ai tha: “Koncepti shqiptar i Besës do të thotë ta mbash premtimin ndaj mikut, pavarësisht kostos. Gjatë Holokaustit, shqiptarët e mbajtën atë premtim ndaj popullit hebre. Ne kemi ardhur për të ndërtuar një shtëpi ku çdo hebre që hyn nga dera të trajtohet si pjesëtar i familjes, ashtu siç Shqipëria e trajtoi popullin tonë kur kishte më shumë rëndësi.”
Artikulli thekson se gjatë Luftës së Dytë Botërore familjet shqiptare hapën dyert për hebrenjtë që përndiqeshin, duke i strehuar dhe rrezikuar veten për t’i shpëtuar nga nazistët. Sipas organizatës, Shqipëria ishte i vetmi vend europian ku në përfundim të luftës jetonin më shumë hebrenj sesa përpara nisjes së saj, fakt i lidhur me traditën e mikpritjes dhe Besën shqiptare. Kjo histori solidariteti përmblidhet si një nga arsyet e zgjerimit të veprimtarisë së Chabad në vend.
Qendra e re do t’i shërbejë komunitetit hebre vendas dhe turistëve hebrenj, veçanërisht nga Izraeli, duke ofruar vend për lutje, ushqim kosher, vakte tradicionale të Shabatit dhe aktivitete të tjera fetare e komunitare. Artikulli përmend gjithashtu prezencën rreth 2 mijëvjeçare të hebrenjve në Shqipëri dhe mbetjet e një sinagoge të lashtë të zbuluar në Sarandë. Po ashtu evidentohen periudha e regjimit komunist kur praktikat fetare u ndaluan dhe komuniteti hebra shqiptar mbeti i izoluar nga komunitetet e tjera hebraike në botë. Me hapjen e qendrës, familja Fridman synon të forcojë jetën fetare dhe komunitare të hebrenjve në Shqipëri, duke lidhur misionin me traditën e Besës dhe mikpritjes.
