Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se ka paraqitur kërkesë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh ndaj të pandehurit M.B., i cili është arrestuar nën dyshimin për kryerjen e veprës penale ‘’Keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar’’ nga neni 414 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Sipas dyshimeve të Prokurorisë, i pandehuri M.B., gjatë vitit 2023, në Prishtinë, në cilësinë e personit zyrtar, përgjegjës për arkivin në Depon e Arkivit Ndërkomunal të Prishtinës, dyshohet se duke shfrytëzuar pozitën dhe autoritetin e tij zyrtar, ka tejkaluar kompetencat dhe nuk ka përmbushur detyrat zyrtare lidhur me verifikimin e autenticitetit të dokumentacionit arkivor.
Po ashtu, ekziston dyshimi se i pandehuri M.B., me qëllim të mundësimit të përfitimit të kundërligjshëm të të drejtave pronësore për personin tjetër me inicialet N.J., i cili aktualisht gjendet në arrati, ka ndihmuar në përdorimin e dokumenteve publike të falsifikuara, duke mundësuar që prona publike në mënyrë të kundërligjshme të kalojë në emër dhe posedim të personit N.J.
Prokurori i Shtetit, në kuadër të veprimeve hetimore dhe me qëllim të parandalimit të tjetërsimit apo humbjes së pasurisë që dyshohet se ndërlidhet me veprimtarinë e kundërligjshme, ka lëshuar urdhër për ndalimin e përkohshëm të 48 parcelave pronësore, vlera e përgjithshme e të cilave dyshohet të arrijë në miliona euro.
Prokuroria Themelore në Prishtinë në koordinim me Policinë e Kosovës, mbetet e përkushtuar në luftimin e kriminalitetit dhe korrupsionit, si dhe ndjekjen penale të të gjithë personave që bien ndesh me ligjin.