Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, ka marrë pjesë në Forumin për të Ardhmen e Atlantikut të Veriut 2026, që po zhvillohet në Oslo të Norvegjisë, ku në fokus janë sfidat e sigurisë euroatlantike dhe forcimi i bashkëpunimit mes vendeve aleate.
Forumi organizohet nga qeveritë e Mbretërisë së Bashkuar dhe Norvegjisë, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të nivelit të lartë politik, ushtarak dhe të industrisë së mbrojtjes nga vendet aleate.
Gjatë aktivitetit, nga bordi i aeroplanmbajtëses britanike HMS Prince of Wales, Nufi theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes aleatëve, veçanërisht në forcimin e lidhjeve strategjike dhe komunikimit mes vendeve të NATO-s në të dy anët e Atlantikut.
Në kuadër të forumit, ministri shqiptar zhvilloi takime edhe me homologun norvegjez, Tore O. Sandvik, si dhe me nënsekretarin parlamentar të shtetit në Ministrinë e Jashtme britanike, Lord Wood of Anfield.
Në qendër të diskutimeve ishte siguria euroatlantike dhe nevoja që NATO të ruajë vëmendjen në të gjitha drejtimet strategjike. Nufi nënvizoi se siguria e Europës nuk kufizohet vetëm në Veriun e Largët, por përfshin edhe Ballkanin Perëndimor, me vëmendje të veçantë ndaj Kosovës.
“Ballkani Perëndimor dhe veçanërisht Kosova duhet të mbeten në vëmendjen e Aleancës”, u shpreh ministri.
Ai e cilësoi integrimin e Kosovës në NATO si një domosdoshmëri strategjike për stabilitetin e rajonit dhe sigurinë e kontinentit.
“Integrimi i Kosovës në NATO është, sipas nesh, një domosdoshmëri strategjike për forcimin e stabilitetit rajonal, parandalimin e konflikteve dhe shmangien e rrezikut të hapjes së fronteve të reja të pasigurisë në Europë. Sepse siguria euroatlantike është e pandashme. Dhe një NATO më e fortë në Ballkan do të thotë një Europë më e sigurt”, deklaroi Nufi.
Pjesëmarrja e Shqipërisë në këtë forum riafirmon angazhimin e vendit për të qenë një aleate aktive dhe kontribuuese në diskutimet strategjike të NATO-s, si dhe për të zgjeruar bashkëpunimin me partnerët në funksion të sigurisë dhe mbrojtjes kolektive.
