Ish-çifti Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi ndoqën të njëjtën ‘strategji mbrojtjeje’ për episodin e lobimit të LSI-së në SHBA. Në seancën e sotme gjyqësore ishte radha e Kryemadhit të paraqiste kundërshtimet e saj ndaj provave të SPAK-ut. Vetë Ilir Meta, i cili për këtë episod akuzohet për pastrim parash, u zhvesh nga përgjegjësitë dhe para trupit gjykues deklaroi se çdo veprim e kishte bërë përmes ish-bashkëshortes. Së njëjtës linjë i qëndroi edhe Kryemadhi, e cila për mediat deklaroi se kishte negociuar vetë me kompaninë amerikane GSIS dhe se Meta nuk kishte dijeni për veprimet e tyre.

“Unë iki që sot me shpenzimet e mia në SHBA, nëse ata kanë gjë me mua. Në SHBA edhe Maduron e arrestuan me mandat arresti. Ka të bëjë seriozisht me marrëdhëniet shqiptaro-amerikane. Çdo veprim e kam bërë përmes zonjës (Monika Kryemadhit). Kontrata është aq e specifikuar, çdo gjë është e verifikueshme”, tha Meta.

Kryemadhi tha se kontrata ishte negociuar prej saj në cilësinë e sekretares organizative të LSI-së dhe tregoi se kush e firmosi marrëveshjen dhe kush pagoi tri faturat e partisë.

“Kontrata është firmosur nga Petrit Vasili. Negociatat me këtë kompani janë bërë prej meje. Ndërkohë, pagesat e tri faturave të LSI-së janë bërë nga sekretari i përgjithshëm, Luan Rama. Në këtë kontekst, Ilir Meta, për hir të së vërtetës, ka zero komunikim dhe zero dijeni se çfarë kemi bërë ne”, tha Kryemadhi jashtë senacës.

Kryemadhi kundërshtoi edhe pretendimin e SPAK-ut se pagesat e kompanisë Unifi ndaj GSIS-it ishin bërë për llogari të LSI-së. Ajo tha se numrat e faturave nuk përputhen dhe kërkoi që Bank of America të dorëzojë vetë faturat. Kërkoi të dëshmojë edhe përfaqësuesi i GSIS-it, Dennis Burke, duke thënë se kontrata lidhej me përpjekjet për të arritur konsensus për reformën në drejtësi.

“Kur sheh pasqyrën bankare që ka ardhur me letërporosi nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, rezulton se fatura që organi i akuzës, pra SPAK-u, pretendon se është për LSI-në, nuk ka të njëjtin numër me faturën që kompania Unifi i ka paguar GSIS-it. Është një faturë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me numër 12-shifror, ndërsa faturat e LSI-së kanë numra katërshifrorë”, tha Kryemadhi.

Meta akuzoi ish-zyrtarin e FBI-së, Charles McGonigal dhe ish-ambasadoren amerikane, Yuri Kim se kishin ndikuar te SPAK-u.

“Prokuroria ka bërë veç shkelje, e ndikuar nga Charles McGonigal dhe Yuri Kim, armike e përbetuar e Shqipërisë, në shërbim të Serbisë”, tha Ilir Meta.

Të njëjtin pretendim e mbështeti edhe Monika Kryemadhi.

“Sa i përket Yuri Kim, po, është e vërtetë që Yuri Kim është e përfshirë në çështjen tonë të lobimit. Letërporosia ka ardhur në vitin 2024. Ka ardhur vetëm një pasqyrë bankare, pa shpjeguar se për çfarë i ka bërë pagesat Monika Kryemadhi”, tha ish-deputetja.

Meta pretendoi gjithashtu se, kur ishte president, ishte kërcënuar nga përfaqësues të pesë ambasadave që të emëronte Arta Vorpsin në Gjykatën Kushtetuese në vend të Marsida Xhaferllarit.

“Jam kërcënuar si President i Republikës nga 5 fëlliqësira ambasadash, që përfaqësonin 5 ambasada të huaja, që të mos ishte Marsida Xhaferllari në Kushtetuese, por të ishte ajo e Lanës, Arta Vorpsi”, u shpreh ai.

“Për çështjen e Gjykatës Kushtetuese, jam unë që ia kam përcjellë zotit Meta mesazhin e një ambasadori të një vendi të Bashkimit Europian. Për hir të së vërtetës, mund të pyesni zotin Vasili. Ai i thotë: “Lëre këtë zonjën të kalojë, se pastaj diskutojmë me Ramën që të vendosim zonjën Xhaferllari.” Madje, unë e kam mesazhin.

Në atë kohë isha në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për një vizitë zyrtare dhe po bisedoja me zotin Vasili. Ai më pyeti: “More vesh çfarë ka ndodhur? I kanë çuar këtë mesazh. Çfarë thua t’i them?” Unë komunikova drejtpërdrejt me personat përkatës në Departamentin e Shtetit dhe i vura në dijeni për mesazhin.

Ishte thënë se ambasada amerikane, ajo britanike dhe, më duket, edhe ajo gjermane do të dilnin me një deklaratë në favor të zonjës Arta Vorpsi. Pastaj Meta mund të bënte një marrëveshje me Ramën që, kur të vinin tre propozimet e tjera nga Gjykata e Lartë, Marsida Xhaferllari të përfshihej në atë treshe, ose diçka e tillë. Meta sigurisht që s’mund ta pranonte këtë. Pasi u vunë në dijeni institucionet amerikane, që kishin mbështetur reformën në drejtësi, zgjedhja u bë sipas rendit kushtetues. Pra, u ushtrua presion duke përdorur instrumentet e ambasadave që vepronin në Shqipëri. Për këtë mesazh e kam informuar unë Departamentin e Shtetit”, tha Kryemadhi.

Në të njëjtën seancë, Ilir Meta përmes avokatit Bujar Musta, depozitoi në Gjykatën e Posaçme një dokument me 103 pika, ku kërkon marrjen e provave të reja dhe shpalljen e pavlefshmërisë ose të papërdorshmërisë së disa akteve të SPAK-ut. Mes kërkesave kryesore janë administrimi i dëshmisë së Jozef Hejsekut për çështjen CEZ-DIA, kryerja e një ekspertimi të ri financiar dhe verifikimi i autenticitetit të disa e-maileve të autoriteteve amerikane për lobimin e LSI-së.

Meta kërkon gjithashtu që të mos përdoren deklarimet e të ndjerit Dritan Prifti për CEZ-DIA dhe aktet që, sipas tij janë marrë pas përfundimit të afatit hetimor.

“Unë nuk kam  patur  asnjë  lloj bisede , me  të ndjerin Dritan ; Gjithashtu  në  deklarimet e tij , i ndjeri  Dritan  referon , për  biseda eventuale , sikur  ato /bisedat  janë  bërë  , në muajt  Maj  e  Qershor të vitit  2010  (pra , bisedat  janë bërë dy-tre muaj  para , se të nënshkruhej , në shtator 2010 , marrëveshja  midis  dy shoqërive   tregtare  DIA  - CEZ”, thuhet në kërkesë.

Meta pretendon se takimet me avokatin e tij në paraburgim vijojnë të përgjohen. Ai i kërkon gjykatës të urdhërojë heqjen e kamerave nga dhoma e takimeve ose të sigurojë kushte që garantojnë konfidencialitetin e bisedave me mbrojtësin.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:20
'Jam kërcënuar nga 5 fëlliqësira ambasadash', Meta akuza në gjyq për emërimet në Kushtetuese: SPAK u ndikua nga McGonigal dhe Yuri Kim

Ish-Presidenti Ilir Meta ka hedhur akuza ndaj SPAK-ut gjatë seancës sw sotme gjyqësore ndaj tij dhe Monika Kryemadhit, duke pretenduar se prokuroria është ndikuar nga ish-zyrtari i FBI-së, Charles McGonigal, dhe ish-ambasadorja amerikane Yuri Kim.

“Prokuroria ka bërë veç shkelje e ndikuar nga Charles McGonigal dhe Yuri Kim, armike e përbetuar e Shqipërisë, në shërbim të Serbisë”, deklaroi Meta.

Ai pretendoi gjithashtu se gjatë kohës kur mbante postin e Presidentit të Republikës ishte kërcënuar nga përfaqësues të pesë ambasadave të huaja për emërimin e Marsida Xhaferllarit në Gjykatën Kushtetuese.

“Jam kërcënuar si President i Republikës nga 5 fëlliqësira ambasadash, që përfaqësonin 5 ambasada të huaja, që të mos ishte Marsida Xhaferllari në Kushtetuese, por të ishte ajo e Lanës, Arta Vorpsi”, u shpreh ai.

Lidhur me çështjen e lobimit, Meta deklaroi se ishte i gatshëm të udhëtonte drejt Shteteve të Bashkuara me shpenzimet e tij dhe të përballej me drejtësinë amerikane, nëse do të provohej qoftë edhe një shkelje e vetme nga ana e tij.

Ora 08:52
Gjyqi ndaj Metës e Kryemadhit në GJKKO, sot kundërshtimet e ish-deputetes për lobimin në SHBA

Sot është seanca e radhës për kreun e Partisë së Lirisë, Ilir Meta dhe ish-bashkëshorten e tij Monika Kryemadhi, në Gjykatën e Posaçme. Ish-deputetja, e cila tanimë ka mbërritur, do të parashtrojë kundërshtimet e saj lidhur me akuzat për lobimin në SHBA.

Në seancën e kaluar, avokati i ish-presidentit përsëriti shqetësimin se takimet e tyre në paraburgimin e 313-ës survejohen nga kamera.

Këtë shqetësim, Gjykata u përgjigj se do t’ia përcillte Drejtorisë së Burgjeve. Seancën e kaluar, Gjykata rrëzoi kërkesat e kreut të Partisë së Lirisë për transmetimin live të seancës dhe qëndrimin e tij jashtë kafazit të xhamit.

Pas seancës, Monika Kryemadhi tha se nuk ka asnjë shkresë që vërteton kontratën midis dy kompanive për çështjen e fibrës optike dhe kërkoi thirrjen e dëshmitarëve. Sa për deklarimin e pasurisë, ajo tha se është kërkuar pavlefshmëria e akteve për shkak të mungesës së dokumentacionit.