Një i dënuar ka qëndruar pas hekurave më gjatë se sa duhej, pasi prokurorja Albjona Papajani kishte “harruar” të llogariste edhe kohën që ai kishte kaluar në paraburgim në Greqi.
Një gabim që nuk i kushtoi lirisë prokurores, por të dënuarit, i cili vijoi të vuante dënimin edhe pasi afati ligjor kishte përfunduar.Për këtë shkelje, Këshilli i Lartë i Prokurorisë vendosi këtë të enjte t’i ulë pagën me 10% për gjashtë muaj Albjona Papajanit, e cila në kohën e ngjarjes ushtronte detyrën në Prokurorinë e Beratit.
Hetimi disiplinor ndaj saj nisi pas një ankese të Avokatit të Popullit, lidhur me mënyrën se si ishte përllogaritur koha e vuajtjes së dënimit.
Gjatë verifikimeve, Inspektori i Lartë i Drejtësisë konstatoi se prokurorja kishte neglizhuar në mënyrë të përsëritur detyrimet ligjore për ekzekutimin e vendimeve penale dhe bashkimin e dënimeve, duke lënë jashtë përllogaritjes periudhën e paraburgimit që i dënuari kishte vuajtur në Greqi.
Pasojat e kësaj “harrese” administrative ishin krejt konkrete: një person që duhej të ishte i lirë, vijonte të qëndronte në burg.
Inspektori i Lartë i Drejtësisë e cilësoi rastin shkelje të rëndë disiplinore, pasi ishte cenuar drejtpërdrejt e drejta themelore e lirisë personale.
Sipas ILD-së, neglizhenca të tilla krijojnë rrezikun që e njëjta situatë të përsëritet edhe me të dënuar të tjerë.
Në fund, llogaritë u bënë për prokuroren: 10% më pak pagë për gjashtë muaj. Ndërsa për të burgosurin, koha e humbur pas hekurave nuk kthehet më./ Primeweb.al













