E enjte, 12 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK PUBLIK
Skandali i misrit me aflatoksinë, AKU vihet në lëvizje për marrjen e masave
Lajme

Skandali i misrit me aflatoksinë, AKU vihet në lëvizje për marrjen e masave

Nisin verifikimet dhe ndëshkimet, hapen dosjet për gjetjen e përgjegjësive

Pas gjetjeve të Kontrollit të Lartë të Shtetit për futjen në treg të misrit të kontaminuar me aflatoksinë B1, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka reaguar duke njoftuar nisjen e verifikimeve dhe procedurave disiplinore ndaj ish-drejtuesve dhe strukturave përgjegjëse për kontrollin e produktit.

Në një njoftim për publikun, AKU bën të ditur se ka ngritur një grup pune për të verifikuar rastin, duke iu referuar drejtpërdrejt konstatimeve të raportit të KLSH-së. Paralelisht, institucioni ka iniciuar ngritjen e një komisioni disiplinor pranë institucionit përkatës, për shqyrtimin e përgjegjësive të ish-drejtorit të Përgjithshëm, strukturave drejtuese të Drejtorisë së Përgjithshme, trupës inspektuese të Drejtorisë Rajonale të Shkodrës dhe vetë drejtorit rajonal.

Lëvizja e AKU-së vjen pas zbulimeve të auditimit, sipas të cilave rreth 104 tonë misër me origjinë nga Serbia u futën në Shqipëri pa iu nënshtruar kontrolleve dhe masave të bllokimit të parashikuara. Më shqetësues është konstatimi se, edhe pasi analizat laboratorike konfirmuan praninë e aflatoksinës B1, një pjesë e produktit të bllokuar dyshohet se është zhvendosur, ndërsa shenjat identifikuese të bllokimit janë hequr.

AKU: 28 mostra në kufi, dy rezultuan me aflatoksinë B1

Në reagimin e tij, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit sqaron se marrja e mostrave në Pikat e Inspektimit Kufitar për produktet ushqim për kafshë realizohet në bazë të planit vjetor të kontrollit, i cili hartohet mbi bazën e analizës së riskut, ose kur evidentohen dyshime për problematika të mundshme.

Sipas të dhënave të institucionit, gjatë periudhës 1 janar – 31 tetor 2026 janë marrë gjithsej 28 mostra për analizimin e treguesit Aflatoksinë B1 në produktet ushqim për kafshë.

Nga këto mostra, 26 kanë rezultuar konforme me standardet, ndërsa dy të tjera kanë rezultuar jokonforme. Rastet janë evidentuar përkatësisht më 3 mars dhe 4 maj 2026, ndërsa produkti kishte origjinë nga Greqia.

AKU sqaron se të dyja ngarkesat me misër për ushqimin e kafshëve janë bllokuar në magazinat e subjekteve importuese dhe më pas janë dërguar për asgjësim.

Megjithatë, këto të dhëna lidhen me kontrollet e vitit 2026 dhe nuk e zëvendësojnë nevojën për sqarimin e problematikave të evidentuara nga KLSH për ngarkesën prej 104 tonësh të importuar nga Serbia në fund të vitit 2025.

Plan i ri kontrolli për misrin, bllokim deri në daljen e analizave

Pas problematikave të konstatuara, AKU njofton se ka hartuar një plan masash tre-mujor për produktin misër të destinuar për ushqimin e kafshëve.

Ky plan është ndërtuar mbi bazën e disa treguesve të riskut, ku përfshihen historiku i rasteve jokonforme, origjina e produktit, sasia e importuar dhe numri i importeve të kryera nga operatorët ekonomikë.

Institucioni bën të ditur se kontrollet dhe marrja e mostrave po vijojnë për ngarkesat e të gjithë importuesve të këtij produkti, ndërsa vëmendje e veçantë po i kushtohet subjekteve që importojnë për herë të parë.

Deri në momentin e reagimit, janë marrë 16 mostra të tjera, të cilat janë dërguar për analizim në Laboratorin e Referencës të ISUV-it, për të verifikuar praninë e aflatoksinës B1. Rezultatet e këtyre analizave janë ende në proces.

Një tjetër masë e njoftuar nga AKU është bllokimi i ngarkesave në magazinat e vetë subjekteve importuese. Produkti do të qëndrojë jashtë qarkullimit deri në daljen e përgjigjeve laboratorike, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Frekuenca e kontrolleve do të përshtatet në vijim sipas rezultateve të analizave, origjinës së produktit dhe historikut të secilit operator.

Monitorim edhe për misrin vendas, AKU bashkëpunon me institucionet e tjera

Përveç kontrolleve ndaj produkteve të importuara, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit njofton se po bashkëpunon me Drejtorinë e Shërbimit Këshillimor, Transferimit të Teknologjive Bujqësore dhe Projekteve për hartimin dhe vlerësimin e një plani të përbashkët monitorimi.

Ky proces do të realizohet në bashkëpunim edhe me Autoritetin Kombëtar të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve, me synimin për të kontrolluar prodhimin vendas të misrit të destinuar për ushqimin e kafshëve.

Ndërkohë, përtej masave të reja të kontrollit, një nga çështjet kryesore që mbetet për t’u sqaruar është përgjegjësia institucionale për rastin e dokumentuar nga KLSH-ja.

Ngritja e grupit të punës dhe nisja e procedurave për komisionin disiplinor tregojnë se AKU ka vënë në lëvizje mekanizmat e brendshëm për shqyrtimin e përgjegjësive të drejtuesve dhe inspektorëve. Megjithatë, mbetet për t’u parë se çfarë do të zbulojnë verifikimet, nëse do të përcaktohen përgjegjësitë konkrete dhe cilat masa do të merren ndaj personave që kanë pasur detyrimin të garantonin zbatimin e kontrolleve.

Në një kohë kur siguria ushqimore është kthyer në shqetësim publik për shkak të debatit mbi aflatoksinën, qytetarët presin më shumë sesa plane të reja monitorimi: kërkohet transparencë për atë që ndodhi, përgjegjësi për moszbatimin e procedurave dhe garanci që produkte të rrezikshme nuk do të përfundojnë në zinxhirin ushqimor.

REAGIMI I PLOTË I AKU-SË:

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit në vijim të informimit publik, nisur nga shqetësimi lidhur me analizimin për produktin ushqim për kafshë, bën me dije se, mostrat në Pikat e Inspektimit Kufitar, merren në bazë të Planit Vjetor me bazë risku, ose në bazë të dyshimit.

Në zbatim të planit të marrjes së mostrave për produktin ushqim për kafshë për analizimin e treguesit Aflatoxine B1 për periudhën 1 janar-31 tetor 2026 rezultojnë që në Pikat e Inspektimit Kufitar janë marrë 28 mostra nga të cilat :

26 mostra kanë rezultuar konforme

2 mostra jo konforme në dt. 03.03.2026 dhe 04.05.2026, me origjinë produkti Greqi.

2 mostra jokonforme produkt misër ushqim për kafshë, kanë qenë të bllokuara në magazinën e subjektit të cilat janë dërguar me destinacion asgjësimin e tyre.

Nisur nga problematikat e konstatuara, me qëllim parandalimin e situatave të krijuara Aflatoxine B1 është hartuar një plan masash 3 mujor.

Plani 3 mujor për produktin misër ushqim për kafshë, është hartuar në bazë të treguesve të matricës së riskut dhe më konkretisht: historikut të jokonformiteteve, origjinës së produktit, sasisë dhe numrit të importeve.

Po vijohet me marrjen e mostrave për ngarkesat për të gjithë importuesit e këtij produkti, ku një vëmendje më e shtuar është për importuesit për herë të parë.

Në vijim të zbatimit të tij, janë marrë deri më tani 16 mostra, të cilat janë dërguar për analizim në Laboratorin e Referencës ISUV për treguesin Aflatoxine B1, të cilat janë në proces analizimi.

Janë njoftuar të gjithë operatorët e biznesit që importojnë misër ushqim për kafshë që produkti do të kalojë me bllokim në magazinën e subjektit dhe do të mbahet i bllokuar deri në daljen e përgjigjes së analizave në zbatim të legjislacionit në fuqi.

Frekuenca e marrjes së mostrave do të përditësohet referuar historikut të jokonformiteteve, origjinës së produktit, sasisë dhe numrit të importeve.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit po bashkëpunon me Drejtorinë e Shërbimit Këshillimor, Transferimit të Teknologjive Bujqësore dhe Projekteve duke vazhduar me vlerësimin e një plani monitorimi të përbashkët me Autoritetin Kombëtar të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve për monitorimin e prodhimit vendas të produktit misër, ushqim për kafshë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.