Në gjyqin ndaj ish-Presidentit të Republikës, Ilir Meta, dhe ish-bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi, Meta ka hedhur akuza ndaj Prokurorisë së Posaçme, duke pretenduar se hetimet dhe akuzat ndaj tij janë ndikuar nga ish-zyrtari i FBI-së, Charles McGonigal, dhe ish-ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim.
Gjatë seancës së të enjtes, ai ka ngritur gjithashtu pretendime për ndërhyrje në procesin e përzgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
“Prokuroria ka bërë veç shkelje e ndikuar nga Charles McGonigal dhe Yuri Kim, armike e përbetuar e Shqipërisë, në shërbim të Serbisë”, tha Meta.
Më tej, ai deklaroi se ishte kërcënuar gjatë kohës që mbante detyrën e Presidentit të Republikës, në lidhje me emërimin e një anëtareje të Gjykatës Kushtetuese.
“Jam kërcënuar si President i Republikës nga 5 fëlliqësira ambasadash, që përfaqësonin 5 ambasada të huaja, që të mos ishte Marsida Xhaferllari në Kushtetuese, por të ishte ajo e Lanës, Arta Vorpsi”.
Meta deklaroi gjithashtu se ishte i gatshëm të përballej me drejtësinë amerikane, nëse do të provohej ndonjë shkelje nga ana e tij lidhur me çështjen e lobimit.
“Nëse SHBA gjente një shkelje të vetme ndaj meje për çështjen e lobimit, jam i gatshëm të shkoj me shpenzimet e mia në SHBA dhe të përballem me drejtësinë”.
© SYRI.net