Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka bërë një deklaratë të fortë lidhur me përmasat e humbjeve në njerëz të Rusisë në luftën kundër Ukrainës, duke pohuar se Moska po humbet çdo muaj dhjetëra mijëra ushtarë të vrarë ose të plagosur rëndë.

Gjatë fjalimit të mbajtur më 11 nëntor në Forumin e së Ardhmes së Atlantikut, Rutte deklaroi se humbjet ruse arrijnë në mbi 40 mijë ushtarë në muaj, ndërsa të dhënat paraprake për muajin tetor sugjerojnë se kjo shifër mund të ketë kaluar 50 mijë.

Për të ilustruar përmasat e humbjeve, kreu i NATO-s bëri një krahasim me Luftën e Vietnamit, ku Shtetet e Bashkuara humbën rreth 56 mijë ushtarë gjatë 14 viteve të përfshirjes në konflikt.

“Shtetet e Bashkuara humbën 56 mijë ushtarë gjatë 14 viteve në Vietnam. Ndërsa këtu, Rusia humb 40 mijë të vrarë ose të plagosur rëndë brenda një muaji. Të dhënat fillestare për tetorin tregojnë se kjo shifër mund të ketë arritur në mbi 50 mijë. Pesëdhjetë mijë brenda një muaji”, deklaroi Rutte.

Ai theksoi se presidenti rus, Vladimir Putin, po dështon në fushëbetejë dhe se Moska po përpiqet të kompensojë vështirësitë ushtarake, duke shtuar sulmet ndaj popullsisë civile dhe infrastrukturës kritike të Ukrainës. Sipas tij, sulmet me raketa dhe dronë synojnë të dobësojnë rezistencën ukrainase dhe të vështirësojnë përballimin e dimrit nga vendi.

Rutte ngriti gjithashtu shqetësimin për shtimin e aktiviteteve armiqësore ruse në vendet evropiane, duke përmendur zjarrvëniet e qëllimshme, incidentet me dronë dhe sulmet kibernetike.

“Putini po përpiqet të na përçajë, të destabilizojë shoqëritë tona dhe të pengojë mbështetjen tonë për Ukrainën përmes zjarrvënieve, incidenteve me dronë, sulmeve kibernetike dhe aktiviteteve të tjera keqdashëse. Por duhet të jemi të qartë: ai po dështon. Për çdo sulm hibrid rus kundër vendeve tona, ne po i ofrojmë më shumë mbështetje Ukrainës”, u shpreh kreu i NATO-s.

Deklaratat e Rutte-s vijnë në një moment kur lufta në Ukrainë vijon të shoqërohet me luftime intensive dhe sulme të vazhdueshme, ndërsa humbjet njerëzore mbeten një nga treguesit kryesorë të kostos së lartë të konfliktit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: