Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) vendosi masë disiplinore ndaj një prokuroreje në Berat, pas neglizhencës në përllogaritjen dhe ekzekutimin e dënimit të një personi, i cili përfundoi duke qëndruar në burg përtej afatit ligjor. Në njoftimin zyrtar të KLP-së bëhet me dije se është pranuar pjesërisht kërkesa e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë (ILD), duke vendosur uljen e përkohshme të pagës me 10% për një periudhë gjashtëmujore ndaj magjistrates A.P.
Masa e vendosur është më e lehtë se ajo e propozuar nga ILD, i cili kishte kërkuar uljen e pagës deri në 40% për një periudhë deri në një vit. Hetimi disiplinor ndaj prokurores, e cila në kohën e konstatimit ushtronte detyrën pranë Prokurorisë së Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, nisi pas një ankese të Avokatit të Popullit lidhur me mënyrën e përllogaritjes së kohës së vuajtjes së dënimit të një personi të dënuar.
Gjatë hetimit, ILD konstatoi se prokurorja kishte neglizhuar në mënyrë të përsëritur detyrimet ligjore për ekzekutimin e vendimeve penale dhe bashkimin e dënimeve. Sipas hetimit, ajo nuk kishte marrë në konsideratë periudhën e paraburgimit që personi kishte vuajtur në Greqi. Si pasojë e këtyre veprimeve dhe mosveprimeve, personi kishte qëndruar në burg edhe pas përfundimit të afatit kur dënimi duhej të ishte shlyer.
Inspektori i Lartë i Drejtësisë e cilësoi sjelljen e prokurores si shkelje të rëndë disiplinore, duke argumentuar se neglizhenca kishte cenuar drejtpërdrejt të drejtën themelore të lirisë personale. ILD thekson se mosrespektimi i detyrimeve ligjore për kontrollin dhe përllogaritjen e ekzekutimit të dënimeve mund të përsëritet edhe në raste të tjera, duke sjellë pasoja të drejtpërdrejta për lirinë personale të personave të dënuar.
Në përfundim, KLP vendosi masën disiplinore “Ulje e pagës me 10% për një periudhë 6-mujore”, duke mos pranuar nivelin e masës së propozuar nga ILD. Top Channel
